E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carnarvon, hapet dhe një herë Biblioteka për Djelmërinë

Ndërtesa e Bibliotekës Carnarvon

Na ishte njëherë…. Duket si fillim përralle, ndonëse nuk është e tillë, por pjesë e historisë. Sot janë të paktë ata që e kujtojnë Bibliotekë për djelmërinë, krijuar në Tiranë nga Instituti Herbert. E vetmja gjurmë janë një koleksion i paçmueshëm librash, të cilët do të ekspozohen për publikun deri më 24 prill në Bibliotekën Kombëtare. E ndërtuar në vitin 1928 dhe e përuruar më 1929, Biblioteka për Djelmërinë e Institutit Herbert, e njohur si Biblioteka Carnarvon, ishte dhuratë e familjes së lordëve (Earls) anglezë Herbert dhe personalisht e bamirëses së madhe filoshqiptare konteshës Carnarvon. Ndërkohë që në Parlamentin Anglez libri i sapodalë Miku më i madh i Shqiptarëve Sir Aubrey Herbert promovohet me sukses të pazakontë, kjo veprimtari jona me pjesën e rikuperuar të koleksioneve të ish-bibliotekës famëmadhe synon të jetë një ekspozitë kundër mosmirënjohjes, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, në prezantimin e kësaj ekspozite historike, e cila vjen përmes një koleksioni të pasur librash, të të gjitha llojeve, letrarë, filozofikë, historikë e doracakë. Koleksioni përmban botime në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, shqip. Ky institut u ngrit në në kujtim të Sir Aubrey Herbert (1880-1923), diplomat dhe deputet anglez, i cili kishte ngritur më 1912 një shoqëri filoshqiptare, me parlamentarë, dijetarë dhe gazetarë, për të kontribuar për pavarësinë e Shqipërisë. Shoqata e Sir Herbert u ngrit më 1918, ai ishte president, sekretare ishte antropologia Edith Durham. Në Biblioteka e filloi veprimtarinë me një koleksion 1.000 librash dhe e mbërritur në 5.000. Pushtuesit italianë e plaçkitën, disa koleksione ia dogjën, nën pushtimin gjerman u braktis, gjatë diktaturës u shndërrua në Kinema Ali Demi, ndërsa sot është rrafsh me tokën. Kjo është edhe arsyeja që kjo ekspozitë vjen si një kujtesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›