E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç'do të bënim pa "Qemal Stafën"?

Duam apo nuk duam, emrin e Qemal Stafës ne shqiptarët nuk kemi si ta harrojmë. Ndoshta e teproj, por, ndërsa heronj apo luftëtarë të tjerë, të panumërt, që ka parë e përcjellë ky vend, mund të anashkalohen pa e cenuar aspak historinë, emra të tillë të përveçëm si ky i Qemal Stafës, vështirë se do të mund të shqiten ndonjëherë nga kujtesa. Jo aq për biografinë e jetës së tij shumë të re, gjithsesi të pasur e të përfunduar në mënyrë tragjike, të turbulluar ndërkohë keqas prej njerëzve shpirtvegjël, cinikë e pa moral, por Qemal Stafa e ka gdhendur prej kohësh emrin e tij në një monument të madh e të një kujtese të paharrueshme si ai i stadiumit tonë kombëtar të futbollit, ku Shqipëria ruan një nga pjesët më të bukura dhe më të spikatura të historisë dhe të identitetit të saj popullor. Nuk do t'i rikthehesha më asaj teme të trajtuar disa herë në këtë gazetë për rrezikun që i kanoset këtij stadiumi prej disa vandalësh, që thjesht për interesat e tyre personale, duan ta shfarosin atë, siç po bëjnë me çdo gjë tjetër të trashëgimisë sonë kulturore dhe artistike që duan t'i zhdukin nga faqja e dheut. Por, duke parë se prej vitesh, qëkurse ka nisur plani ogurzi për shkatërrimin e stadiumit kombëtar, Shqipëria ende nuk ka ndërtuar një objekt tjetër, por vazhdon t'i luajë ndeshjet e saj më të rëndësishme për aktivitetet ndërkombëtare po në atë tempull futbolli ku pat nisur të shkruajë historinë e saj më të bukur sportive, atëherë, edhe njëherë më lind pyetja alarmante, se: Çfarë do të bënim ne gjatë gjithë kësaj kohe po të mos e kishim "Qemal Stafën"?! Ku do t'i kishim luajtur gjithë ato ndeshje për eliminatoret e kampionateve europiane apo botërore, kur ky vend nuk ka asnjë stadium tjetër të hajrit, të tillë që të jetë licencuar prej UEFA-s dhe FIFA-s? Edhe një ndeshje miqësore rutinë, si ajo që fituam ndaj Armenisë të mërkurën e kësaj jave, u regjistrua po në fushën e këtij stadiumi kombëtar, si dhjetëra e qindra të tjera që ekipet tona përfaqësuese kanë luajtur gjatë gjithë historisë së tyre. Sikur të mos mjaftonte Kombëtarja me ndeshjet e saj të panumërta në këtë stadium, por tani, atë e kanë bërë seli të domosdoshme për ndeshjet e tyre në Kupat e Europës edhe ekipe si ai i Kukësit dhe Skënderbeut! Paçka se kohët e fundit qytetet e Kukësit dhe të Korçës janë bërë me stadiume të reja, megjithatë, për organizmat ndërkombëtare të futbollit vetëm stadiumi "Qemal Stafa" i Tiranës i plotëson të gjitha kushtet për të qenë i licencuar dhe i përshtatshëm për të luajtur ndeshje të rëndësishme e të një niveli të tillë ku tashmë kanë arritur klubet tona. Le të pëllasin e t'u mbajnë iso vandalëve të shkatërrimit disa çapaçulë interesaxhinj, kur thonë se "Qemal Stafa" është kthyer në një gërmadhë dhe se UEFA me FIFA-n po i bëkan nder e një privilegj Shqipërisë duke i zhvilluar aty ndeshjet e Kombëtares dhe të klubeve tona pjesëmarrëse për "play-off"-in e grupeve në kupat europiane! Por, çfarë logjike na qenka kjo e këtyre lehësve të shpifur, kur këto organizma kompetente ndërkombëtare na preferokan një "gërmadhë", siç na qenka "Qemal Stafa" e ndërkohë injorokan stadiume "moderne" si ato të Kukësit dhe të Korçës?! Nëse stadiumi kombëtar po kthehet në gërmadhë, kjo është dëshira e drejtuesve të federatës përkatëse për ta bërë këtë, sepse ndryshe, me disa fonde të arsyeshme dhe aspak të niveleve faraonike siç kërkojnë të na mbushin mendjen se do derdhin për stadiumin e ri, ata, fare mirë mund ta rikonstruktonin "Qemal Stafën" që, i ndodhur në vendin më të lakmueshëm të kryeqytetit, do t'i shërbente shumë më mirë se kaq futbollit tonë. Pastaj, stadiumi i ri, atje ku e parashikon edhe plani urbanistik i Tiranës, sipas asaj që ka deklaruar edhe kryebashkiaku i saj, pa i prishur punë askujt, përkundrazi, do ta shtonte e do ta përmirësonte më tepër infrastrukturën tonë sportive. Kështu do të kishim gjithnjë të gatshme stadiume për ndeshje të nivelit të lartë, siç i kërkon futbolli i sotëm bashkëkohor, ndërkohë që "Qemal Stafa" do të vazhdonte të mbetej si përherë strehë e shpëtimit, jo vetëm për ekipet kombëtare dhe ato të Tiranës, ku bëjnë pjesë edhe Partizani me Dinamon, por edhe e atletëve tanë, që tek ky stadium "gërmadhë", siç po e quajnë mosmirënjohësit dhe batakçinjtë, gjejnë të vetmen pistë vrapimi ku ata mund të stërviten e të zhvillojnë garat e tyre. Mendoni se çfarë mund të kishte bërë kampionia dhe rekordmenia e Shqipërisë Luiza Gega nëse nuk do ta kishte stadiumin "Qemal Stafa"? Suksesi i saj i pashembullt në garën e 1500 metrave, duke arritur deri në gjysmëfinalet e Botërorit të Moskës 2013, nuk mund të imagjinohej pa të vetmen pistë vrapimi të stadiumit "Qemal Stafa" ku ajo stërvitet...
(e.m/GazetaShqptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›