Çelaj : Kandidati për Prishtinën, mundësisht nga Prishtina

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lirak Çelaj, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se PDK- ja ende nuk ka marrë vendim se cili do të jetë kandidati i saj për kryeqytetin.
Sipas tij, lakimi i emrave të disa personave si kandidatë për të parin e kryeqytetit nga radhët e PDK-së, po bëhet më shumë për sensacion mediatik .
“Unë lirisht mund të iu them se të lakimi i këtyre emrave mbetet ende në nivelin e spekulimeve”, tha ai për Telegrafin.
Çelaj ka theksuar se ka shumë arsye pse PDK-ja nuk ka arritur që në zgjedhjet e mëparshme lokale ta fitoj; kryeqytetin.
“Më herët në Prishtinë është votuar me inercion, për shkak të disa bindjeve të cilat kanë qenë të trashëguara më parë. Unë besoj që ky koncept nuk ekziston më në Prishtinë, sepse qytetarët e Prishtinës nuk janë më fanatik; të partive dhe nuk votojnë për inat të dikujt”, ka theksuar ai.
Sipas tij, dega e PDK-së në Prishtinë ka gabuar veçanërisht në strategjinë me të cilën i është qasur elektoratit të kryeqytetit.
“Besoj se kemi marrë shumë leksione prej gabimeve të cilat i kemi bërë më herët dhe shpresoj se këto gabime do të shërbejnë që në të ardhmen mos t’i përsërisim të njëjtat”, shprehet Çelaj.
Ai ka folur edhe për kandidatin e ardhshëm të PDK-së për kryeqytetin, duke theksuar se është përparësi për partinë nëse kandidati është i lindur dhe rritur në Prishtinë.
“Nuk mendoj se duhet te krijojmë ndonjë formulë për kandidatin. Është përparësi nëse kandidati e njeh qytetin dhe qyteti e njeh atë. Mirëpo, nuk është kusht i domosdoshëm, sepse Prishtina tashmë është kryeqytet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe jo të gjithë banorët e Prishtinës janë të lindur dhe rritur në Prishtinë”, ka shtuar Çelaj. /Indeksonline/