E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK-ja s’është serioze

Glauk Konjufca ka vlerësuar se LDK-ja nuk është serioze për rrëzimin nga pushteti të Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi. Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se LDK-ja në Prishtinë asnjëherë nuk ka fituar për shkak të vizonit zhvillimor dhe programor, por për shkak të artikulimit të votës kundër PDK-së.


"Mendoj se LDK-ja në Prishtinë asnjëherë nuk ka fituar për shkak të ndonjë vizioni të qartë për zhvillimin e Prishtinës. LDK-ja në Prishtinë gjithherë ka fituar në mënyrë negative, sepse Prishtina në masë të madhe ka artikuluar një votë anti-PDK. Në këtë disponim, LDK-ja ka qenë ajo e cila ka fituar vazhdimisht. Sot nuk është më kështu. Qytetarët tash janë bindur se nuk mjafton të votosh për inat të dikujt tjetër. Ata po kërkojnë gjithnjë e më shumë projekte konkrete si dhe zgjidhje praktike për një kryeqytet, i cili në aspektin urban ndodhet në një gjendje të mjerueshme", ka thënë Konjufca në intervistën për "Epokën e re".

Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! është alternativa e vetme për Prishtinën dhe Kosovën. “Qytetarët e Prishtinës janë lodhur së tepërmi nga keqqeverisja e LDK-së në Prishtinë. Pothuajse secili e ndjen vetvetiu njëfarë ngecje dhe e di me siguri se Prishtina ka kapacitete shumëfish më të mëdha se arritjet e pakta që janë realizuar deri më sot”, ka thënë Konjufca. Ai ka thënë se të gjitha sondazhet tregojnë se në Prishtinë do të ketë një garë të ngushtë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe LDK-së. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›