Çitaku e qetë: E di që qytetarët jetojnë në varfëri

Ministrja e Integrimit Europian Vlora Çitaku ka folur me qetësi në Interaktiv për gjendjen e azilkërkuesve nga Kosova që gjenden në Hungari dhe Francë, derisa ka pranuar se situata e tyre është e rëndë.
“E di që azili nuk është shkak, është pasojë, është pasojë e gjendjes së rëndë. Askush nga ne nuk e merr një rrugë të rrezikshme por azili nuk është zgjidhje meqë gjendja nuk merret parasysh”, ka thënë ajo.
Çitaku e ka pranuar se vendi, ku ajo është zyrtare e lartë prej shtatë vjetësh, përballet me një varfëri të madhe.
“Secili prej nesh qe jemi në Qeveri, nuk besoj që është ndjerë mirë dhe që nuk e ka brerë ndërgjegjia. Ajo çka ne mund t’u themi qytetarëve është se azili nuk është opsion. Nuk jetoj në një botë paralele, e di që jetojnë në kushte shumë të rënda dhe varfëra”, ka thënë ajo.
Përderisa, rrëfimet e personave që po mbahen të ngujuar nëpër kampe e burgje, ankohen se askush nuk po i viziton, ajo thotë se i ka ata i ka vizituar ambasada e Kosovës dhe është njoftuar lidhur me gjendjen e tyre.
Llogaritet që rreth 6 mijë persona nga Kosova aktualisht ndodhen në kampe duke kërkuar azil në vendet evropiane.
Ajo ka përkrahur nismën e Vetëvendosjes që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për këtë çështje por ka thënë se kjo nuk duhet të politizohet. /Indeksonline/