Tre serbëve u konfiskohen rreth 100 mijë euro nga doganierët e Maqedonisë

Autoritetet doganore të Maqedonisë sot ndaluan tre serb me rreth 100 mijë euro të palajmëruara në pikën kufitare Bogorodicë.Sipas njoftimit të doganës, tre serbët kishin hyrë në Maqedoni përmes vendkalimit kufitar Bogorodicë me Greqinë dhe se ata në pyetjen e doganierit kishin theksuar se nuk posedonin asgjë për të lajmëruar dhe doganuar. Por, pas kontrollit të detajuar janë gjetur paratë e fshehura, që kishin tentuar ti fusnin në mënyrë ilegale në Maqedoni, transmeton INA.
Sipas ligjit për valutat e huaja, 30 mijë euro i janë kthyer tre serbëve, secilit nga 10 mijë euro, ndërsa 68 mijë të tjera janë konfiskuar nga dogana. Në pikat kufitare të vendit kohëve të fundit në disa raste janë parandaluar tentimet për futjen e parave të palajmëruara. Dogana dyshon se këto para janë të përfituara në rrugë jolegale dhe se ato tentohen të futen në vend, duke i`u shmangur tatimeve.
Doganat e Maqedonisë njoftuan se në dy raste tjera është parandaluar kontrabanda e arit. Njëri rast u zbulua më aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup, ku janë konfiskuar 800 gram ari me një vlerë prej 1,3 milion denarë, ndërsa në rastin e dytë u konfiskuan 450 gram stoli ari nga një grua që po udhëtonte nga Zvicra në Maqedoni./indeksonline/