“Çdo manipulim përbën krim zgjedhor”, Bele: KAS nuk heton, vetëm rinumëron. Rezultati ndoshta të hënën

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk kryen hetimin e kutive të votimit, por vetëm rinumëron fletët, deklaroi për mediet anëtari i KAS-it, Koli Bele, nga Pallati i Sportit “Farie Hoti”, ku po vijon procesi i rinumërimit për Bashkinë Tiranë.
“Ndryshimi i votave, numri disa dhjetëra apo qindra, reflekton më shumë se 600 kuti të numëruara. Gjëja e parë mund të jetë kriteri i vlerësimit apo edhe gabimi njerëzor, që lëvizin pak vota për një kuti. Por duhet të kuptojmë që ky proces në vetvete nuk bën hetimin për kuti, por rinumëron dhe do dalë një rezultat përfundimtar. Për të konkluduar në ndonjë rast kur ka diferenca të mëdha, ka apo jo qëllim kriminal, shkelje ligji, duhet hetuar në një proces tjetër dhe nuk i takon KAS-it. Pra, nuk është organi që kryen hetimet zgjedhore,” deklaroi z. Bele.
Ai sqaroi se çdo devijim apo manipulim në procesin e votimit përbën krim zgjedhor dhe hetimi i këtyre është në kompetencë të institucioneve të tjera ligjzbatuese.
Sipas z. Bele, me ritmin që po ecet do të kemi rezultat së shpejti.
“Janë numëruar gati gjysma e kutive dhe me këtë ritëm, ditën e shtunë ose maksimalisht të hënë, mbas një jave, do të kemi një rezultat,” tregoi anëtari i KAS-it.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/