Sulmi kibernetik ndaj faqes së Bashkisë Tiranë, Ristani: Të dhënat të paprekura. Po forcojmë infrastrukturën

Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik ndaj sistemit digjital të Bashkisë, duke e cilësuar atë si një nga më të sofistikuarit e regjistruar deri më tani. Përmes një njoftimi për mediat, Ristani tha se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muaj.
Ajo thekson se të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni dhe se aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in po kontrollohen për të garantuar që nuk ka mbetje para se të aktivizohen.
Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, thekson se po kalohet drejt forcimit të mëtejshëm të infrastrukturës digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.
“Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti. Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve”, thotë Ristani.
Grupi proiranian “Homeland Justice” mori përsipër një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës më 20 qershor. Faqja e Bashkisë doli jashtë funksionit në orët e paradites. Sulmi u justifikua nga grupi për shkak të politikave të bashkisë, por edhe të qeverisë shqiptare për sa i përket strehimit të disidentëve iranianë, muxhahedinëve, dhe organizatës së tyre.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Dua t’ju informoj se Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që kemi regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.
Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.
Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve.
Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.
Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim.
Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malëare-i para se të aktivizohen.
Në këtë fazë, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.
Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me transparencë dhe përkushtim për të mbrojtur të dhënat dhe interesin e çdo qytetari.
/rtsh.al/