Ceca me pensionistë në Berat: Vëmendje për komunitetin dhe infrastrukturën

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Ervin Ceca, kandidati për kryetar të bashkisë Berat, i propozuar nga radhët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, zhvilloi një takim me pensionistë të lagjes “Uznovë”, ku diskutoi për çështjet që prekin drejtpërdrejt komunitetin dhe nevojat për përmirësimin e jetesës në këtë zonë.
Gjatë takimit, Ceca theksoi rëndësinë e dialogut me qytetarët, duke vlerësuar kontributin e brezit të tretë në ndërtimin e qytetit dhe rolin e tyre në përcjelljen e vlerave komunitare.
Ai nënvizoi se pas përfundimit të rrjetit të kanalizimeve dhe rehabilitimit të rrugës kryesore, puna do të vijojë me sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme të lagjes “Uznovë”, për të përmirësuar aksesin dhe cilësinë e jetesës së banorëve.
“Së bashku me komunitetin, po hartojmë një plan konkret për zhvillimin e lagjeve, me fokus tek infrastruktura, shërbimet dhe hapësirat publike. Qytetarët janë në qendër të çdo vendimmarrjeje”, u shpreh Ceca gjatë bashkëbisedimit.
Takimi u mbyll me angazhimin e kandidatit për të vijuar turin e takimeve me grupe të ndryshme të qytetarëve në zonat e tjera të Beratit.
/e.xh/r.e/a.f/