Bylykbashi: Nuk konstatojmë asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës nga Presidenti

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi paraqiti sot argumentet e mazhorancës për rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për shkelje të vazhdueshme të rënda të Kushtetutës.
Gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese në komisionin e Ligjeve, Bylykbashi u shpreh se “pretendimet e ngritura në kërkesën për shkarkim nuk plotësojnë standardin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës”.
“Ne dalim në përfundimin se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës nuk plotëson as kushtet formale procedurale dhe mendojmë që Kuvendit t’i çojmë një raport për mosngritjen e komisionit për shqyrtimin e kësaj kërkese”, theksoi ajo.
Bylykbashi solli në vëmendje mekanizmat që garantojnë që iniciativa për shkarkimin e Presidentit të mos merret arbitrarisht, por vetëm mbi bazën e një vlerësimi paraprak të ligjshmërisë dhe ekzistencës së një baze kushtetuese të dukshme.
Sipas saj, “komisioni vlerëson se kërkesa nuk përmban shkaqe për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljet e pretenduara të një natyre të rëndë nga Presidenti”.
Për sa i përket pretendimit të opozitës në lidhje me shpalljen e dekretit për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë, Bylykbashi theksoi se në kushtet kur kjo çështje është bërë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, komisioni vlerëson se ky pretendim nuk mund të përbëjë objekt për hetim nga komisioni hetimor i Kuvendit.
Lidhur me pretendimin e dytë për ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e mandateve të kësaj gjykate, Bylykbashi kujtoi se “e drejta për të iniciuar të drejtën për shkarkimin e Presidentit përbën një instrument kushtetues të jashtëzakonshëm që mund të aktivizohet vetëm në kushtet e shkeljes së rëndë kushtetuese”.
Në rastin konkret, sipas saj, “kërkesa për shkarkimin e Begajt paraqitet si e papranueshme nga pikëpamja kushtetuese. Nuk konsiderohet antikushtetues një veprim që vetë Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar si legjitim dhe për të cilin është shprehur me një vendim përfundimtar. Gjykata Kushtetuese pranon si të ligjshme të drejtën e Presidentit për ta paraqitur një kërkesë të tillë. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese është shprehur në mënyrë përfundimtare për këtë çështje, çdo pretendim i mëvonshëm për antikushtetutshmërinë e kërkesës së presidentit është i shteruar. Kjo do të krijonte kaos në rendin kushtetues, ndaj edhe kjo pikë e kërkesës është tërësisht e paargumentuar dhe nuk ka një mbështetje”.
Lidhur me dekretimin e ministres virtuale, Bylykbashi theksoi se “kjo çështje është objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund të hetohet nga Kuvendi”.
Po ashtu, Bylykbashi iu përgjigj edhe pretendimeve për favorizime të njërës forcë politike me ligjin për komisionet hetimore, duke theksuar se Presidenti nuk ka cenuar parimin e ndarjes së pushteteve.
“Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpallur ligjin antikushtetues, por ka shfuqizuar vetëm disa dispozita të tij. Kjo nuk përbën shkelje antikushtetuese. Nuk mund të kërkohet shkarkimi i presidentit sa herë që Gjykata Kushtetuese shfuqizon dispozita të caktuara ligjore. Ky është precedent i rrezikshëm për garantimin kushtetues të funksionimit të Presidentit”, u shpreh Bylykbashi, duke rrëzuar poshtë edhe këtë pretendim.
Lidhur me pretendimin se Presidenti ka lejuar përfshirjen e paligjshme të trupit diplomatik në aktivitete partiake, Bylykbashi kujtoi se Kushtetuta i ngarkon Presidentit emërimin dhe lirimin e diplomatëve, ndërsa kontrolli i veprimtarisë së përditshme të trupit diplomatik i takon MEPJ-së.
Ndërsa lidhur me pretendimin se Begaj ka krijuar gjendje permanente konflikti interesi, Bylykbashi kujtoi se Presidenti është subjekt i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.
“Ligji e përcakton se ILDKP është institucioni i pavarur kushtetues që heton në rastin e konfliktit të interesit. Kjo më pas mund të shërbejë si bazë për shkarkimin e tij”, shtoi ajo.
Në përfundim, Bylykbashi argumentoi se pretendimet për shkelje të rënda të Kushtetutës të ngritura në kërkesën e PD-së nuk qëndrojnë.
/r.e/a.f/