Çela: Krimet kibernetike, kërkojnë përgjigje efikase. Dumani: Më shumë koordinim mes agjencive ligjzbatuese

Është mbajtur këtë të martë (17 qershor) Forumi Konsultativ i Ballkanit Perëndimor, një takim i nivelit të lartë që mblodhi përfaqësues të sistemit të drejtësisë nga vendet e rajonit, si dhe partnerë ndërkombëtarë, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të reja në fushën e sigurisë.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij në këtë forum, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballjen me fenomenet kriminale ndërkufitare.
“Thelbësore është të vendosim objektiva realiste dhe të marrim angazhime serioze për vijimin e punës në këtë drejtim. Falë këtij projekti kemi parë përmirësime konkrete në kuadër të bashkëpunimit rajonal.”, tha ai.
Çela theksoi se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar.
“Krijimi i pikave të kontaktit për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetja e vazhdueshme e prokurorëve ndërlidhës të EUROJUST kanë krijuar kanale të qëndrueshme për shkëmbimin e informacionit.”, shtoi Çela.
Ky i fundit paralajmëroi për sfidat e reja që po sjellin zhvillimet teknologjike në aktivitetin kriminal, duke theksuar se strukturat nuk po përshtaten me ritmin që duhet.
“Krimet në fushën kibernetike, përdorimi i teknologjisë dhe kriptomonedhave në veprimtari kriminale kërkojnë përgjigje efikase. Strukturat tona ende po përshtaten, shpesh ngadalë, për shkak të kostove të larta financiare dhe nevojës për trajnime të specializuara.”, theksoi Çela.
Në përfundim, Çela nënvizoi nevojën për rritje të kapaciteteve në nivel kombëtar dhe më shumë fleksibilitet në bashkëpunimin rajonal.
“Është e domosdoshme të vijohet me forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kërkohet një nivel më i lartë koordinimi mes agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar.”, përfundoi ai.
Nga ana e tij, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, u shpreh se suksesi në luftën kundër krimit të organizuar kërkon bashkëpunim të ngushtë mes vendeve të rajonit.
“Për të shpërbërë strukturat kriminale, na duhet të veprojmë me vendosmëri në mënyrë kolektive si pjesë e rajonit. Kjo do të thotë: më shumë hetime të përbashkëta, ndarje më e shpejtë e informacionit dhe besim i ndërsjellë mes prokurorëve.”, tha Dumani, ndërsa vlerësoi rolin e EUROJUST në tejkalimin e barrierave për bashkëpunim ndërkombëtar dhe evidentoi rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi për SPAK.
“Eurojust është një nyje strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për SPAK, ky bashkëpunim ka dhënë rezultate të prekshme – kemi mundur të trajtojmë raste komplekse.”, shtoi ai.
Sipas raportit të EUROJUST për vitin 2024, SPAK renditet si prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve të çelura nga vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian. Aktualisht, SPAK ka në funksion 23 skuadra të përbashkëta hetimore, jo vetëm me vendet e BE-së, por edhe me vende të rajonit dhe Amerikës Latine.
/rtsh.al/