E Hënë, 2 Nëntor 2026

Saranda nis sezonin me vrull – Rritje turistësh, infrastrukturë moderne dhe sfida në shërbime

Vera ka nisur vrullshëm me temperature të nxehta, por duket se ajo që dominon në fillim të këtij sezoni është interesi i lartë i turistëve, vendas dhe të huaj. Dhe kur flasim për destinacionet e preferuara të çdo sezoni, padyshim ndër vendet kryesore zë Saranda.

Në një lidhje të drejtë për drejtë me studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, Arben Çipa u shpreh se muaji maj dhe qershor fillimisht nuk qenë shumë premtues, por tani po vihet re një ndryshim pozitiv, sidomos me një shtim të turistëve nga grup mosha e re.

Ai vuri në dukje edhe ndryshimet rrënjësore në infrastrukturën e Ksamilit, e cila është përmirësuar ndjeshëm dhe i përgjigjet nevojave moderne të turistëve.

“Sezoni veror këtë vit ka filluar herët që në muajin prill, muaji maj nuk ishte shumë premtues ndërsa muaji qershor në nivele jo fortë të mira siç e prisnim, por ka një javë që situata ka ndryshuar në  lidhje me numrin e turistëve por ajo që është shumë interesante ndoshta për publikun është se ka ndryshuar tipologjia e turistit duke iu referuar turistëve të moshës së re. Është në favorin tonë  që reputacioni i hershëm  i Shqipërisë ka qenë një reputacion i cili nuk ka qenë ndihmë për ne, por për fatin tonë të  mirë ai reputacion i keq është kthyer tashmë në një vlerë pozitive ku turistët që e shkelin Shqipërinë mbeten shumë të surprizuar dhe ata janë faktori kryesorë të cilët bëjnë një reklamë të sigurt për sa i përket destinacionit. Në lidhje me çështjen e organizimit të Ksamilit apo Sarandës do të thoja se infrastruktura në Ksamil ka ndryshuar duke  u kthyer në një infrastrukturë të kohës duke sjellë ndryshime rrënjësore”, u shpreh Arben Çipa.

Sipas tij, reputacioni i Shqipërisë, dikur një pengesë për zhvillimin turistik, tashmë është kthyer në një avantazh. Ai theksoi gjithashtu se infrastruktura në Ksamil ka pësuar transformime të mëdha dhe është tashmë e konsoliduar. Megjithatë, shërbimet dhe cilësia e tyre nuk janë ende në nivelet e duhura.

“Infrastruktura tashmë është totalisht e konsoliduar, ndërsa për sa i përket disa shërbime të cilat lidhen jo me autoritet por me kulturën e subjekteve, aty kemi ende punë për të bërë . Turizmi kërkon një gjuhë të përbashkët ashtu siç flitet në Maldive ashtu duhet të flitet edhe ne Ksamil, padyshim kemi një pjesë të individëve nuk janë ingranuar ende me atë çka quhet qytet, shërbim turistik dhe veprojnë  sipas mënyrës së tyre dhe jo ashtu siç duhet”, tha ai.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, u shpreh se infrastruktura është tashmë e konsoliduar, por sfidat më të mëdha ndodhen në kulturën e shërbimit.

“Në projektet afat gjatë kemi propozuar në vazhdimësi, ajo çka është e detyrueshme është që kur jepen lejet e ndërtimit, të imponohet brenda projektit të tyre që pishinat t ë jenë të përfshira në çdo akomodim. Hapësirat e bregdetit në zonën e Sarandës dhe Ksamilit janë të pakta në numër dhe ajo që kemi propozuar është që të ndërtohet një projekt me qëllim që të lëshojnë hapësira me një projekt të përcaktuar me qëllim që të zgjerohet vija bregdetare”, theksoi Çipa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›