Çelet edicioni i katërt i “Automotive Fair Albania”, në fokus teknologjia dhe siguria rrugore

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë u kthye mbrëmjen e së enjtes në qendrën e spektaklit të sporteve motorike dhe inovacionit, me çeljen e edicionit të katërt të “Automotive Fair Albania”, një nga aktivitetet më të rëndësishme të industrisë automotive në vend.
Eventi mblodhi së bashku kompani të industrisë së automjeteve, pasionantë të sporteve motorike, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të shumtë, duke sjellë në kryeqytet një atmosferë festive të lidhur me teknologjinë, shpejtësinë dhe inovacionin.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe drejtoresha e Promovimit në bashkinë e Tiranës, Iva Beharaj, e cila theksoi mbështetjen e bashkisë për këtë aktivitet.
“Ky është edicioni i katërt i këtij eventi dhe jemi mbështetës të një aktiviteti kaq domethënës”, u shpreh Beharaj, duke shtuar se gjatë ditëve të panairit do të organizohen aktivitete të shumta në pika të ndryshme të Tiranës që do të shoqërojnë këtë event.
Për të përshëndetur eventin e mori fjalën dhe Kreshnik Bajraktari, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor.
“Sot, përmes DPRST, promovojmë jo vetëm zhvillimet më të fundit të sektorit automobilistik, por edhe kulturën dhe sigurinë rrugore. Ky edicion vjen me një pjesëmarrje ndërkombëtare dhe mbështetet në katër shtylla kryesore: inovacionin dhe teknologjinë; spektaklin automobilistik me performanca të veçanta; edukimin dhe sigurinë në qarkullim, ku mesazhi ynë është i qartë se talent nuk është shpejtësia, por siguria; si dhe edukimin që në fëmijëri përmes ‘Auto Kids’. ‘I udhëhequr nga pasioni’ është motoja e këtij eventi dhe e mobilitetit modern”, tha Bajraktari.
Sipas organizatorëve, “Automotive Fair Albania” synon të promovojë zhvillimet më të fundit në industrinë automotive, teknologjinë e automjeteve, sigurinë rrugore dhe kulturën e sporteve motorike, duke krijuar një hapësirë ndërveprimi mes bizneseve, institucioneve dhe publikut.
Ceremonia e hapjes u shoqërua me prezantime automjetesh, performanca artistike dhe aktivitete interaktive, ndërsa organizatorët theksuan se eventi do të vijojë gjatë ditëve në vijim me ekspozita, demonstrime dhe aktivitete argëtuese për qytetarët dhe vizitorët.
Automotive Fair Albania, Foto: Florian Abazaj 1 nga 16/e.xh/a.f/r.e/