E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen tre telefona celularë në IEVP Shkodër

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se vijojnë kontrollet në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për evidentimin e sendeve të ndaluara.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sot gjatë kontrollit në IEVP Shkodër janë evidentuar tre aparate telefonikë celularë, të cilat janë sekuestruar.

“Në vazhdim të detyrave funksionale të IEVP-së dhe në kuadër të forcimit të masave të sigurisë, parandalimit të futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara, Grupi i Sigurisë, nën drejtimin e Drejtuesit të Institucionit, Shefit të Policisë, Specialistit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka ushtruar kontroll në ambientet e institucionit.

“Kontrollet janë zhvilluar në dhomat e banimit dhe ambientet e përbashkëta. Gjatë kontrollit fizik të të paraburgosurit G.Z., është konstatuar dhe sekuestruar 1 aparat celular i tipit “iPhone”, së bashku me karikuesin. Personi është veçuar menjëherë dhe për rastin është hartuar raport incidenti.

“Gjithashtu, në ambientet e përbashkëta janë gjetur edhe 2 aparate celularë të tjerë të tipit “iPhone”. Për të gjitha rastet është hartuar dokumentacioni përkatës, përfshirë procesverbalet e bllokimit dhe dorëzimit të sendeve të ndaluara.

“Materialet procedurale i janë referuar Agjencisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, përfundon njoftimi.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›