Çelet panairi i artizanatit në Gjirokastër, punimet tradicionale ngjallin interesin e vizitorëve

Në pazarin karakteristik të Gjirokastrës është çelur panairi artizanal, ku artizanët do të kenë mundësinë që për dy ditë me radhë të shfaqin punimet e tyre tradicionale. Këto punime të veçanta e të realizuara me shumë përkushtim kanë tërhequr vëmendjen e vizitoreve të shumtë.
“Është hera e parë që vij në Gjirokastër dhe jam mahnitur nga bukuria e punimeve artizanale. Janë punime të veçanta dhe gjithçka këtu përbën kulturë dhe histori, është bukur të njihesh me punime dhe traditë shekullore”
“Ishim në Ksamil dhe u kthyem këtu. Është interesante prodhimi i zonës dhe është bukur t’i shohësh”, thanë vizitorët.
Për artizanët vendas, këto panaire përfaqësojnë një mundësi të vlefshme jo vetëm për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre, por edhe për ruajtjen dhe transmetimin e traditës vendase.
“Krijon mundësinë për të shtuar kontakte me vizitorët e shumtë që vijnë nga e gjithë Evropa. Ekspozohen të gjitha llojet e punimeve”.
“Këto panaire na ndihmojnë shumë dhe ka interes shumë të shtura nga të huajt se kërkojnë produktet bio të vendit tonë”.
“Prezantohemi më punime artizanale si vëthë e punime perle dhe vit pa viti interesi është i lartë”.
“Këto panaire na shërbejnë jo vetëm të njihemi me artizanët e tjerë, por edhe të përçojmë vlerat tona te turistët”, u shprehën disa nga artizanët në këtë panair.
Këto aktivitete ndihmojnë në forcimin e identitetit lokal dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e trashëgimisë artizanale, veçanërisht në një qytet si Gjirokastra, i njohur për vlerat e tij historike dhe kulturore.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/