Celibashi kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor: Edhe partitë politike në numërimin e votave nga jashtë

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediet bëri të ditur se sot do t’i përcjellë Kuvendit të Shqipërisë propozimin për disa ndryshime teknike të Kodit Zgjedhor.
Ndryshimi i parë sipas Celibashit, konsiston në dhënien e të drejtës Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të prokuruar shërbimin e dërgesës postare për votimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë.
“Brenda ditës së sotme do t’i përcjell Kuvendit të Shqipërisë dhe për dijeni partive parlamentare një propozim për disa ndryshime teknike të Kodit Zgjedhor të cilat konsistojnë e para, në dhënien KQZ-së të drejtën për të prokuruar shërbimin e dërgesës postare si në shkuarje, dhe në kthim pas të fletës së votimit, edhe për faktin se është përcaktuar një buxhet i cili do të paguajë kostot e dërgimit të fletëve të votimit nga KQZ, të votuesit jashtë dhe kthimin mbrapa në KQZ”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se një tjetër ndryshim është edhe për rishikimin e afateve që “lidhen me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, me qëllim për të përfituar dhe 10 ditë më shumë në dispozicion për të përgatitur ashtu sikurse duhet dhe pa e vendosur në rrezik procesin e ri të përgatitjes së fletëve të votimit dhe dërgimit të tyre tek votuesit nga jashtë”, tha Celibashi.
Celibashi bëri të ditur se po ashtu është dakordësuar në parim me dy partitë kryesore politike edhe procesi i numërimit të fletëve të votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Gjithashtu pas konsultimeve të bëra me përfaqësuesit e partive politike kryesore politike, PS dhe PD, si dhe në vlerësim të të gjithë aspekteve teknike të numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit, do t’i propozoj Kuvendit të ndryshojë Kodin Zgjedhor për sa i përket strukturës që do të merret me vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se “duke qenë se procesi i votimit nga jashtë, që zhvillohet për herë të parë, mendoj se do të ishte e udhës që në procesin e numërimit të fletëve të votimit të përfshihen edhe partitë politike, veçmas KQZ-së”.
“Në këtë mënyrë tejkalojmë edhe ngërçin e momentit që lidhet më procedurën e numërimit të fletëve të votimit. Mendoj se propozimi, thuajse i dakordësuar në parim, adreson shqetësimet e gjithkujt në lidhje me procesin e numërimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi.
/a.f/r.e/