Pezullimi i hetimeve ndaj Olsi Ramës, Dumani: Nuk u gjet asnjë provë! Emri i tij nuk është regjistruar si person në hetim

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë një takimi me gazetarët iu përgjigj interesit të tyre mbi disa çështje të drejtësisë.
I pyetur në lidhje me pezullimin e hetimeve ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, Dumani theksoi se ndaj tij nuk u gjet asnjë provë, ndryshe nga pretendimet e deputetit të PD-së Gazment Bardhi si i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë të gjetur në vitin 2015.
“Përgjigjja është ajo që keni marrë. SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullim për moszbulimin e autorëve. U hetua edhe përfshirja e Olsi Ramës, nuk u gjet provë. U pezulluan hetimet për shkak se nuk është regjistruar emri i tij si person në hetim. Në rast se do të ishte në hetim, do të kishte pushim të çështjes”, tha Dumani.
/a.f/r.e/