E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj: Në 9 vite ndërtuam 105 objekte arsimore

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Për herë të parë në historinë e saj si kryeqytet, Tirana ka ndërtuar brenda një periudhe 9-vjeçare 109 çerdhe dhe kopshte, si dhe 45 shkolla të reja.

Lajmin e dha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak, ku prezantoi edhe projektet e reja për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore.

“Përsa i përket infrastrukturës arsimore, ky këshill bashkiak duhet të jetë super krenar, sepse në këto 9 vite kemi bërë 109 kopshte dhe çerdhe që nuk ishin përpara, pra ose jofunksionale, ose nuk ekzistonin fare, 109 kopshte dhe çerdhe dhe 45 shkolla. Ka nga ata që lodhen duke i dëgjuar, që ne i kemi bërë 45 shkolla”, u shpreh Veliaj.

Sipas Veliajt, janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni shtatë objekte të reja arsimore: Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në zonën e ish-shkollës 9-vjeçare “Migjeni”; Ndërtim i palestrës dhe ambienteve shtesë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”; Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Kol Jakova”; Ndërtim i shkollës 9-vjeçare në rrugën “Muharrem Caushi”, Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në rrugën “Muharrem Caushi”, Ndërtim shkollë 9-vjeçare (Tipi 2) dhe të mesme (Tipi 4) në rrugën “3 Dëshmorët” Ndërtim shkolle 9-vjeçare (Tipi 1) në rrugën Selitë e Vjetër.

Gjithashtu, janë lidhur kontratat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave të tjera: Ndërtim i shkollës 9-vjeçare “Edith Durham”; Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza”; Ndërtim terrenesh sportive dhe muri rrethues për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”; Ndërtim i shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Hima”; Ndërtim i shkollës së mesme të bashkuar “Mersin Duqi”; Ndërtim i shkollës së mesme të bashkuar në Krrabë.

Gjithashtu, po ndërtohen dhe 2 objekte “Ndërtim i shkollës 9-vjeçare Arbanë dhe ndërtim i shkollës profesionale”.

Veliaj bëri të ditur se, janë planifikuar edhe projektimi, edhe ndërtimi i katër shkollave të reja: Ndërtim i një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën e Elbasanit (Njësia 2); Projektim për ndërtimin e një kopshti dhe çerdheje të integruar pranë Kompleksit “Mangalem” (Njësia 1); Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në rrugën “Stavri Themeli” (Njësia 7); Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në rrugën “Muharrem Butka” (Njësia 5).

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›