Çelja e 8 kapitujve të rinj, Rama: Rruga drejt “Shqipërisë 2030” vijon, mbyllim negociatat në 2027

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për hapjen e grupkapitullit të tretë që përbëhet nga sektori i Konkurrueshmërisë dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkruan se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian vijon pa ndalim.
“Rruga drejt shqipërisë2030 vazhdon pa ndalim. Këshilli i BE miratoi çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin.
Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”, shkruan Rama në rrjetin social ‘X’.
Ndërkaq, më herët, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka uruar Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të tretë.
Sipas Kos, hapja e këtij grupkapitulli do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së.
“Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse sot! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. #ZgjerimiEU ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Marta Kos në rrjetin social X.
Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor).
Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
/rtsh.al/