E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hapja e grupkapitullit të ri për Shqipërinë, Kos: Një hap tjetër afër BE-së

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka uruar Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të tretë që përbëhet nga sektori i Konkurrueshmërisë dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.

Sipas Kos, hapja e këtij grupkapitulli do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së.

“Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse sot! Kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së. #ZgjerimiEU ka të bëjë me përparimin ditë pas dite”, shkruan Marta Kos në rrjetin social X.

Ndërkaq, më herët, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se Shqipëria gjendet në një moment historik teksa hapen grupkapitujt e radhës me Bashkimin Evropian.

Sipas Hasanit, hapja e sotme e 8 kapitujve të rinj që gjenden brenda kapitullit të tretë pasqyron “përparimin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një shenjë e qartë se nga sa larg kemi ardhur në një kohë kaq të shkurtër. Rruga jonë drejt BE-së nuk ka qenë kurrë më e qartë ose më e përcaktuar”.

“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër,” deklaroi kryediplomati shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›