E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çelja e grupkapitujve me BE – Pas Grupkapitullit 4, ekspertët apelojnë për vëmendje tek Bujqësia

Ndërsa pritet të zyrtarizohet me konferencën ndërqeveritare çelja e Grupkapitullit 4, për grupkapitullin 5 – Bujqësia, ekspertët kërkojnë vëmendje për specifikat përkatëse.

“Bujqësia dhe kohezioni rajonal janë dy nga sektorët që normalisht mbështeten më shumë nga fondet e BE-së dhe duhet të adoptohen politikat që kanë mbështetje të qeverisë shqiptare me ato të Bashkimit Europian. Kjo kërkon kapacitete të mjaftueshme për të realizuar këtë lloj gjurmimi dhe analize që do t’i bëhet të gjithë tregut shqiptar dhe mbështetjeve që do të vijnë pikërisht për të krijuar këtë lloj sistemi”, thotë eksperti i Integrimit, Albert Gajo.

Por, karakteristika kryesore e fondeve mbështetëse duhet kuptuar drejt, mendon eksperti i Integrimit Gajo.

“Nuk jam për rritje prodhimi dhe të mbështetjes së drejtpërdrejtë të fermerit, por jam për sigurinë mjedisore dhe ushqimore, pra që indirekt të prodhohen, por brenda kushteve dhe standardeve mjedisore dhe veterinare, kur bëhet fjalë për prodhimet blegtorale”, thotë ai.

Nga ana tjetër, në rastet e lejimit të kohës së quajtur tranzicion, pra përtej anëtarësimit, Gajo gjykon se plani për këtë duhet të jetë gjithashtu shumë i detajuar.

“Nuk është një diçka që t’i thuash: unë do të marr një periudhë 5 apo 10-vjeçare pas tranzicionit, por duhet të kesh një plan shumë të detajuar kohor, të mirëpërcaktuar, me masa dhe objektiva të qarta, në mënyrë që ai të jetë i besueshëm dhe të realizohet brenda asaj periudhe për të cilën je përgatitur, dhe ke kapacitetet e mundshme dhe objektivat politike”, thekson Gajo.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›