Çelja e negociatave, Spiropali: Moment historik!

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, e vlerësoi si moment historik, zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri për çeljen e negociatave për grup-kapitullin ‘Themeloret’, është një moment historik i merituar që dëshmon progresin e sigurt të reformave integruese dhe demokratizuese të Shqipërisë, si dhe garanton rrugën e pakthyeshme të tyre.
“Kuvendi ka detyrimin, përgjegjësinë dhe nderin të punojë me vendosmëri për udhën drejt Shqipërisë evropiane, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe gjithë përfshirjen në procesin e integrimit, si një prioritet kombëtar strategjik”., shkruan Spiropali.
Sipas saj, Evropa për Shqipërinë është kapërcimi i një të shkuare të zymtë “që na ka ndarë dhunshëm nga kontinenti”.
“Evropa është realiteti bindës dhe fakti se rilindja e Shqipërisë evropiane është fati ynë i merituar, zgjedhja dhe zgjidhja jonë, adresa ku na bashkon sa historia, edhe përkatësia shpirtërore”, përfundon postimin Spiropali.
/rtsh.al/