Celulari i katërt, në qershor në treg
Xhixho: Hyrja e operatorit të katërt do të ulë më tej tarifat Në 2009 u shtuan përdoruesit e celularit dhe u ulën tarifat
Numri i përdoruesve të telefonisë celulare për vitin 2009 u rrit me 40 për qind në krahasim me vitin 2008. Rreth 1.2 milion abonentë iu shtuan rrjeteve të telefonisë së lëvizshme në vend. Por gjatë këtij viti pritet që numri i përdoruesve të telefonisë mobile të rritet edhe më shumë, jo vetëm për shkak të gamës së re të shërbimeve që hyjnë në treg pothuajse çdo muaj, por edhe si rezultat e hyrjes në treg të operatorit të katërt të telefonisë celulare. Operatori i katërt celular që tashmë ka marrë licencën që në vitin e kaluar, pret të hyjë në treg me shërbimin e tij në muajin qershor të këtij viti. Hyrja e tij në tregun e telefonisë fikse do të rrisë konkurrencën dhe për rrjedhojë do të ndikojë në uljen e tarifave të telefonisë së lëvizshme. Licenca e katërt celulare është nga një grup biznesmenësh shqiptarë Mobil 4 Al dhe pritet ti shtohet me sinjal 3 operatorëve të tjerë, AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile. Lëshimin e sinjalit të tij në muajin qershor e ka bërë publik drejtori i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, Pirro Xhixho, gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për vitin 2009. Dalja në treg e celularit të 4-rt do të rrisë edhe më tej konkurrencën në tregun mobil dhe padyshim kjo do të ndikojë tek tarifat, - tha Xhixho. Por ky projekt do të pasohet më tej edhe me nismën që konsumatori të mbajë të njëjtin numër, duke ndryshuar kompaninë, çka do ti sjellë tregut tarifa edhe më konkurruese. Sipas Xhixhos, nga ulja e tarifave celulare përgjatë vitit 2009, konsumatori shqiptar ka arritur të përfitojë shumën prej 35 milionë eurosh. Xhixho pranoi se në 2009 është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve të telefonisë mobile, me gati 40 për qind, por edhe ai i telefonisë fikse. Gjatë vitit 2009, tregu i telekomunikacioneve vazhdoi të rritej me ritme të larta. Numri i sipërmarrësve, të cilët kanë njoftuar AKEP për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike deri në fund të vitit 2009, ishte 152, në krahasim me 99 në fund të vitit 2008. Rritja e tregut ishte e ndjeshme në telefoninë celulare, si dhe në shërbime të internetit, duke shënuar për herë të parë dhe një rritje të ndjeshme edhe në telefoninë fikse. Të ardhurat totale të sipërmarrësve për vitin 2008 ishin 61.387 milionë lekë, që përbën 5.76% të GDP-së së Shqipërisë (1.064.000 milionë lekë). Katër lojtarët kryesorë, AMC, Vodafone Albania, Eagle Mobile (tre operatorë celularë) dhe Albtelekomi (operatori fiks), zotërojnë 96% të të ardhurave të të gjithë sektorit. Ndërkaq, një nga objektivat e këtij institucioni është që të shtrijë internetin në çdo cep të vendit, objektiv ky edhe i programit të qeverisë. Telekomunikacioni është një sektor, i cili ka shënuar një rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, duke kontribuar deri në 5.76 % të PBB-së.