Monopoli i gazit, Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron Petroliferën me gjobë
Kufizimi i tregut të gazit të lëngshëm për shkak të bllokimit të ngarkim-shkarkimit dhe ndalimit të depozitimit, nga koncesionari “La Petrolifera Italo Rumena”, ka detyruar autoritetet të marrin masat. Pas fakteve të publikuara në media dhe ankesës së vet shoqërive të importit të gazit, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimet, duke zbuluar shkelje të parimit të konkurrencës së lirë në portin “Vlora 1”, pranë pyllit të Sodës, ku qeveria shqiptare ia dha me koncesion shoqërisë italiane, e cila më pas, me kontratat e lidhura, ka kufizuar tregun.
Aktualisht në bazë të marrëveshjes koncesionare, janë ndërtuar dt sfera për depozitimin e gazit me kapacitet 2450 m³ secila, por që përdoren deri në 2000 m³ për arsye sigurie. Të dyja këto depozita sferike i janë dhënë për shfrytëzim kompanisë “Kalaja” sh.a (ndërmarrje që ushtron veprimtari importi dhe tregtimi të GNL-së). “Aktualisht nga inspektimet e kryera dhe dokumentet e administruara rezulton se ndërmarrja ‘Kalaja’ sh.a është e vetmja ndërmarrje (nga pesë gjithsej) e cila ka të drejtën të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në depozitat në pronësi të ‘La Petrolifera Italo Albanese’ sh.a”, tha dje në konferencën për shtyp, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati.
Sipas saj, kjo kontratë që në kuptim të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën një marrëveshje vertikale, mund të sjellë kufizime në konkurrencë në tregun e importit të GLN-së, pasi nuk u ka dhënë mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg për shkarkimin dhe depozitimin e këtij produkti. Kjo situatë ka eliminuar thuajse plotësisht konkurrentët e ndërmarrjes “Kalaja” sh.a në këtë segment të tregut.
Në këto kushte, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi nga “Petrolifera” që jo më vonë se pesë ditë nga njoftimi i vendimit të mundësojë ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e GLN-së, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal.
Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohet me gjobë 2-10 për qind të xhiros vjetore, thuhet në vendimin e djeshëm.