Censi 2023, 91 % e popullsisë u deklaruan me etni shqiptare

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Në censin e vitit 2023, 91 % e popullsisë deklaruan etnicitet shqiptar, ndërsa 2.8 % deklaruan një lloj tjetër etniciteti dhe 0.6 % nuk preferuan të përgjigjeshin. Një përqindje e vogël e popullsisë, vetëm 0.05 % kanë deklaruar “asnjë“ për etnicitetin.
Sipas të dhënave të nxjerra nga Censi 2023, publikuar sot nga INSTAT për pjesën e mbetur prej 5.6 % të popullsisë, të dhënat mbi etnicitetin nuk janë të disponueshme, pasi pyetja nuk mund t’u bëhej anëtarëve të familjes.
Të dhënat tregojnë se përqindja e popullsisë që deklaroi “shqiptar” për pyetjen mbi gjuhën e zakonshme të folur në shtëpi, ishte e njëjtë me përqindjen që deklaroi etnicitet shqiptar, përkatësisht 91.1%.
2 186 917 persona u deklaruan me etni shqiptare, me etni greke u deklaruan 23 485 persona, me etni nga Maqedonia e Veriut u deklaruan 2 218 persona, me etni malazeze u deklaruan 511 persona, me etni aromune u deklaruan 2 459 persona, me etni rome 9 813 persona, me etni egjiptiane u deklaruan 12 375 persona, me etni boshnjake 2 963 persona, me etni serbe 584 persona, me etni bullgare 7 057 persona me etni tjetër 3798. Grup i perzier etno-kulturor u deklaruan 770 persona.
Nga 13.5 mijë persona që deklaruan”preferoj të mos përgjigjem” për pyetjen mbi etnicitetin, 77.1 % gjithashtu deklaruan që preferonin të mos përgjigjeshin për pyetjen mbi fenë.
Rreth 66.9 % e popullsisë deklaroi se ndjek ose i përket një feje ose besimi specifik, sipas kategorive të paracaktuara në Cens.
Një përqindje e konsiderueshme prej 13.8 % deklaroi se janë besimtarë por nuk i përkasin ndonjë feje ose besimi të caktuar, ndërsa 3.6 % deklaruan se janë ateistë dhe 10.2 % deklaruan “preferoj të mos përgjigjem” për pyetjen mbi fenë.
Ashtu si me pyetjen mbi etnicitetin edhe për besimin për 5.6 % të popullsisë të dhënat nuk janë të disponueshme.
Të dhënat e mbledhura mbi karakteristikat etno-kulturore të popullsisë janë të rëndësishme për të kuptuar shumëllojshmërinë dhe identitetin kulturor në vend. Ky informacion është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, veçanërisht në kontekstin e zhvillimit të politikave të integrimit, barazisë dhe të minoriteteve.
Pyetja për identitetin etnik ofroi dhjetë opsione të paracaktuara duke përfshirë shqiptar, sipas ligjit. Të anketuarit mund të zgjidhnin “asnjë“, nëse nuk identifikoheshin me ndonjë identitet etnik, “identitet tjetër etnik”, nëse identiteti i tyre nuk ishte i listuar, me një pyetje pasuese për ta specifikuar.
