Basha: Mashtrimet dhe linçimi, e vetmja strategji e Berishës

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Kryetari i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës, ndërsa u shpreh se ky i fundit është kthyer në asetin e vetëm të kryeministrit më të korruptuar të Europës.
Sipas Bashës, mashtrimet, linçimi, gjuha e urrejtjes, janë e vetmja strategji që Berisha ka për të mbrojtur veten dhe për të mbajtur Ramën në pushtet, si mburojë për hallet e përbashkëta.
“Pasi ia fali zgjedhjet Ramës në 14 maj, po ashtu edhe në Kamzë me policinë e radhës, Berisha përdor dordolecët e tij mediatik për të më sulmuar mua, ndërkohë që është kthyer në asetin e vetëm të kryeministrit më të korruptuar të Europës. Mashtrimet, linçimi gjuha e urrejtjes, janë e vetmja strategji që Berisha ka për të mbrojtur veten dhe për të mbajtur Ramën në pushtet, si mburojë për hallet e përbashkëta”, tha Basha.
Sipas tij, “degradimi i jetës publike, në një rreth vicioz interesash, është një nga arsyet pse Shqipëria është kthyer në një vend të pajetueshëm”.
“Ne nuk e pranojmë këtë, në veçanti kur akuzuesit janë në prehrin e Ramës dhe turpërojnë veten intelektualisht me akuza boshe. Shqipëria meriton më shumë dhe do të ketë më shumë”, tha ai. /m.m/