E Martë, 3 Nëntor 2026

Censi i Bujqësisë – INSTAT në fazën përgatitore bashkëpunon edhe me FAO

Insituti i statistikave ka nisur fazën përgatitore për implementimin e Censit të Bujqësisë.

Sipas drejtoreshës së INSTAT, Elsa Dhuli, ky cens do të bazohet në përgjigjet e pyetësorin të Censit të Popullsisë dhe Banesave, nga pjesë që i përkiste bujqësisë si dhe informacione shtesë do te jenë edhe 4 regjistra të vënë në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë.

Kjo u bë me dije gjatë një vizite që Komisioni i Ekonomisë zhvilloi në INSTAT.

“Si anketues do të përfshihen edhe studentë nga Universiteti Bujqësor të mbështetur edhe nga anketues të trajnuar,” theksoi Dhuli.

Censi i Bujqësisë do të sigurojë informacione mbi module të veçanta, në të gjitha fermat bujqësore që kanë të bëjnë me: ujitjen, praktikat e menaxhimit të tokës, makineritë dhe pajisjet dhe pemëtarinë etj.

Censi i Bujqësisë do të sigurojë gjithashtu të dhëna për strukturën e bujqësisë, veçanërisht për njësitë e vogla administrative.

Për të realizuar këtë cens, INSTAT ka bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Organizatën e Ushqimit dhe Agrikulturës të kombeve të bashkuara.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›