E Diel, 1 Nëntor 2026

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›