E Diel, 1 Nëntor 2026

GjKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) shpalli sot fajtorë Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, GjKKO me trupë gjykuese i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, shpalli fajtor të pandehurin Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Bozha, i cili është babai i kandidates për deputete e Partisë Socialdemokratike në Fier, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u konvertuar në 1 vit burgim. Në përfundim, dënimi iu konvertua në një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Fajtor u shpall edhe Vladimir Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, por sipas GjKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.

Sa i përket provave materiale, gjykata urdhëroi që një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh, t’i kalojë në favor shtetit, ndërsa një fletë e ngjashme me fletët e votimit, ku ishte e ngjyrosur emri i një kandidateje për deputete, të administrohet si pjesë e fashikullit gjyqësor.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›