E Shtunë, 31 Tetor 2026

Censusi, Ikonomu kundër censusit të “OMONIA”-s

Theodoros Ikonomu-Kamarinos, i njohur për deklaratat e tij të forta pro “Epirit të Veriut”, ka “tronditur” drejtuesit e organizatës “OMONIA”, të cilët përgatiten që më datë 24 korrik të nisin regjistrimin e minoritetit grek në Shqipëri.

Deklarata e Ikonomut është bërë pak ditë më parë në një prej radiove të “Epirit të Veriut” dhe menjëherë ka hasur në sulmet e ashpra të komentuesve të faqeve të internetit, të cilët i kanë quajtur të papranueshme këto deklarata. Ndërkohë i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, kreu i “OMONIA”-s, Vasil Bollano nuk ka pranuar të komentojë këto deklarata. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i partisë MEGA, Ziso Lluci është shprehur se çdo nisëm e organizatave apo shoqatave nuk sjell asnjë zgjidhje të problemit, por e koklavit atë më tepër.

REAGIMET

I kontaktuar nga “GSH” në lidhje me deklaratat e bëra nga ish-Konsulli Ikonomu, kreu i “OMONIA”-s Vasil Bollano ka refuzuar t’i komentoj ato. “Është në natyrën time që të mos komentoj asnjë deklaratë, të bërë nga kush do”, – u shpreh Bollano. Ndërkaq, një qëndrim tjetër ka mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i partisë së minoritetit grek, MEGA, Ziso Lluci. Ai u shpreh se partia MEGA që në momentin e parë e ka deklaruar qëndrimin e saj për Censusin. “Pavarësisht nga iniciativat ligjore anti-kushtetuese dhe anti-evropiane të legjislativit, apo të Gjykatës Kushtetuese; pavarësisht presioneve të qarqeve të brendshme nacionaliste dhe pavarësisht nga thirrjet e disa faktorëve për bojkotim dhe vetë “OMONIA”, minoriteti duhet të shprehej për identitetin e tij kombëtar, fetar dhe gjuhësor. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe sot jemi përpara së panjohurës se sa është numri i saktë i minoritetit etnik grek”, – u shpreh Lluci. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me vendimin e “OMONIA”-s për të kryer vetë regjistrimin ai është shprehur se çdo nisëm e organizatave apo shoqatave nuk sjell ndonjë zgjidhje të problemit, por e koklavit më tepër atë duke i dhënë shkas kaotizimit. Ne i bëjmë thirrje politikës shtetërore shqiptare të rikonceptoj edhe një herë marrëdhëniet e saj me minoritetin etnik grek, t’i institucionalizojë ato duke i dhënë shkas pjesëmarrjes së tij në jetën publike dhe sidomos në qendrat ku merren vendimet ndaj tij”, – mbylli fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i MEGA-s.

                                                                                             2012-07-13 08:32
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›