Ceremonia e veçantë në Shtëpinë e Bardhë për Princin e Arabisë/ Në lojë 600 miliardë $

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të mirëpresë me ceremoni të veçanta sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, princin e kurorës Mohammed bin Salman, këtë të martë, më 18 nëntor, në një vizitë që pritet të avancojë shitjen e avionëve luftarakë F-35 dhe një sërë marrëveshjesh biznesi mes dy vendeve.
Kjo do të jetë vizita e parë e princit bin Salman në SHBA që prej vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018 nga agjentë sauditë në Stamboll, ngjarje që shkaktoi zemërim global. Inteligjenca amerikane arriti në përfundimin se princi Mohammed bin Salman kishte miratuar kapjen ose vrasjen e Khashoggi-t. Por princi i kurorës e ka mohuar të jetë ai që ka urdhëruar operacionin, megjithatë ka pranuar përgjegjësinë si udhëheqës de facto i mbretërisë.
Mikpritja që do të marrë në Washington është një tregues i qartë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë rikuperuar pas tensioneve të thella që shkaktoi vrasja e gazetarit.
Gjatë ditës së diplomacisë në Shtëpinë e Bardhë, princi bin Salman do të zhvillojë bisedime me Trump-in në Zyrën Ovale, do të drekojë në Sallën e Kabinetit dhe do të marrë pjesë në një darkë zyrtare me veshje formale në mbrëmje.
Trump shpreson të përfitojë nga ky takim investime në vlerë prej 600 miliardë dollarësh, premtim që i është bërë gjatë vizitës së tij në mbretëri në maj.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha për Reuters se priten nga kjo vizitë marrëveshje mesa SHBA-ve dhe Arabisë Saudite në fusha si teknologjia, prodhimi, mbrojtja dhe më shumë.
Trump u tha gazetarëve të hënën, “do t’i shesim” avionët F-35 Arabisë Saudite, e cila ka kërkuar të blejë 48 njësi të këtij modeli të avancuar. Kjo do të ishte shitja e parë e avionëve F-35 për Arabinë Saudite dhe do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane. Marrëveshja mund të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme dhe të vërë në provë angazhimin e SHBA-ve për ruajtjen e “avantazhit ushtarak cilësor” të Izraelit, i cili deri më tani ka qenë i vetmi vend në rajon që zotëron avionë F-35.
Përveç pajisjeve ushtarake, lideri saudit kërkon garanci sigurie, akses në teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe përparim në një marrëveshje për programin bërthamor civil.
“Sauditët do të shpenzojnë shumë para nesër në SHBA,” tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Reuters të hënën.