E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen prurjet në kaskadën e Drinit, Balluku nga HEC-i i Komanit: Të gjitha strukturat në gatishmëri

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vizituar mbrëmjen e sotme Hidrocentralin e Komanit.

Teksa situata e motit pritet të përkeqësohet, Balluku siguroi se, “të gjitha strukturat janë në gatishmëri për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, ku si pasojë e reshjeve intensive janë shtuar ndjeshëm prurjet në kaskadë”.

Belinda Balluku: “Pritet një përmirësim i motit gjatë ditës së enjte dhe përsëri të premten do të ketë agravim. Megjithatë ne jemi të përgatitur dhe çfarë është më e rëndësishme, që duam tu themi të gjithë njerëzve, nuk parashikohet hapje e portave të hidrocentraleve. Shpesh abuzohet me lajmet, në rastet e përmbytjeve të Nënëshkodrës, ndaj ne po e bëjmë me dije se i kemi kapacitetet, sepse kemi punuar që nga data 11 Nëntor për të liruar volume dhe kemi rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në Liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në Liqenin e Komanit. Ndërkohë 5 agregatet e Vaut të Dejës janë në funksion dhe 4 agregatet e Komanit janë në funksion, ndërsa Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionin lidhur me situatën e krijuar nga moti i keq në vend. Reshjet intensive të shiut kanë detyruar strukturat e emergjencave civile të ndërhyjnë për menaxhimin e situatës.

Kështu, për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.

Ndërkohë, në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore. Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se ekipet në të gjitha qarqet po punojnë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për të minimizuar dëmet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›