Ceremonitë kombëtare fetare – Komuniteti Mysliman dhe Ortodoks, vlerësime për transmetimet e drejtpërdrejta të RTSH

Fundjava e fundit e muajit mars përkoi me dy momente të rëndësishme për dy komunitetet fetare shqiptare.
Myslimanët mbyllën muajin e sakrificës, atë të Ramazanit dhe kremtuan festën e Fitër Bajramit.
Po aq i rëndësishëm ishte edhe për ortodoksët shqiptarë muaji mars, me zgjedhjen e kryepeshkopit Joan Pelushi, që pason në fron të ndjerin, Anastas Janullatos.
Radio Televizioni Shqiptar i mundësoi publikut shqipfolës anembanë botës këto evente direkt në kanalin e RTSH1 HD dhe të shtrira në dy maratona me lidhje direkte dhe emisione të dedikuara në studiot e Radio Televizionit Shqiptar.
Puna e palodhur e dhjetëra punonjësve, staf teknik apo gazetarë, si dhe vendimmarrja për t’i dedikuar hapësirë të veçantë në ekranin e shqiptarëve tre eventeve fetare, ka marrë vlerësime nga dy komunitetet.
Komuniteti Mysliman Shqiptar, në letrën drejtuar Zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme, Aurora Polo, shpreh në emër të besimtarëve mirënjohjen dhe vlerëson profesionalizmin e treguar.
“Puna juaj dhe institucionit që drejtoni luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të besimit, harmonisë dhe solidaritetit në shoqëri. Transmetimi i ngjarjeve të tilla jo vetëm pasqyron rëndësinë e tyre shpirtërore, por gjithashtu ndihmon në edukimin dhe formimin moral të shoqërisë sonë. RTSH ka dëshmuar se mbetet një zë i fuqishëm i identitetit dhe kulturës sonë kombëtare, duke i dhënë vëmendjen e duhur trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të popullit shqiptar“.
Po aq vlerësuese është edhe letra e Kryepeshkopit, imzot Joan Pelushi.
“Me lejoni që, me anë të kësaj letre, t’iu shpreh mirënjohjen dhe falenderime të përzemërta për ndihmën dhe kontributin tuaj, si dhe të institucionit të nderuar që drejtoni, duke iu përgjigjur me shumë profesionalizëm kërkesës tonë për vënien në dispozicion të grupit tuaj. Transmetimi i drejtpërdrejtë i meshës së parë të kryepeshkopit të ri, Joan ishte gjithashtu shumë domethënës për Komunitetin Ortodoks brenda dhe jashtë vendit tonë”.
Radio Televizioni Shqiptar angazhohet për të qenë zëri i të gjithëve shqiptarëve, e veçanërisht të përcjellë tek publiku eventet e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri, vendin e tolerancës që na krenon në kulturat botërore.
RTSH