Cërriku, forcërisht 4 dëshmitarë

Tanku i Gardës, pas sulmit në Cërrik në mars 1997
Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje të vërë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në lidhje me mosparaqitjen e disa dëshmitarëve në procesin në ngarkim të të akuzuarve për “Masakrën e Cërrikut”.Mes emrave të dëshmitarëve ndodhet edhe ish-kryetarja e Bashkisë së qytezës së Cërrikut në vitin 1997 dhe bashkëshorti i saj. Për dëshmitarët në fjalë gjykata ka pranuar më herët kërkesën për shoqërim të detyrueshëm nga ana e policisë, shoqërim që nuk është realizuar. Gjykimi i dosjes me 9 të pandehur, të akuzuar për ngjarjen e 23 majit 1997 në Gjykatën për Krimet e Rënda ka ngelur në “vend numëro” prej disa seancash. Shkak është bërë mosparaqitja në seancë e dëshmitarëve të fundit të Prokurorisë. Me të njëjtin shkak dështoi edhe seanca e djeshme e këtij procesi. Gjykata vendosi të shtynte seancën në një datë të re, për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve të kërkuar nga Prokuroria.
DESHMITARET
Në një total prej 121 seancash gjyqësore të shënuara për procesin ndaj të akuzuarve për “Masakrën e Cërrikut”, Prokuroria ka mbërritur në paraqitjen e provave të fundit të saj. Por, prej disa seancash, mosparaqitja e disa dëshmitarëve ka bllokuar procesin. Dy nga dëshmitarët e kërkuar nga akuza janë ish-kryebashkiakja e Cërrikut në vitin 1997, Mishelina Xhelo, dhe bashkëshorti i saj, ndaj të cilëve është urdhëruar shoqërimi i detyruar. Po nga Prokuroria është kërkuar edhe thirrja e dëshmitarëve Luan Prenga, Xhemal Bardhoshi dhe P. Gjoka, mes të cilëve do të ketë një ballafaqim përpara gjykatës. Për dëshmitarin Xhemal Bardhoshi, Gjykata ka urdhëruar shoqërim të detyrueshëm. Ndërsa dy dëshmitarët Prenga dhe Gjoka ende nuk kishin marrë njoftim për thirrjen në seancë. Ndonëse në lidhje me tre prej dëshmitarëve gjykata ka vendosur shoqërimin me forcë në gjykatë, asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm në ambientet e saj. Në seancën e djeshme, nga ana e gjykatës është relatuar se asnjë nga dëshmitarët nuk ishte shoqëruar nga policia. Po sipas gjykatës, policia nuk kishte zbatuar urdhrin e saj për shoqërimin e dëtyrueshëm dhe nuk kishte paraqitur arsye për moszbatimin e këtij urdhri. Pasi u njoh dhe me pretendimet e akuzës për pyetjen e dëshmitarëve, gjykata vendosi të njoftojë kreun e Policisë së Shtetit në lidhje me situatën e krijuar. Në vijim, gjykata shtyu seancën duke i dhënë një javë kohë policisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore për saktësimin e adresave të dëshmitarëve.
Emri i ish-kryebashkiakes së Cërrikut, në kohën kur është shënuar ngjarja e njohur si “Masakra e Cërrikut”, është lakuar disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor. Emri i saj është përmendur gjatë rrëfimeve të dëshmitarëve, si edhe nga të pandehurit në proces. Disa prej tyre mbështesin alibitë e mospërfshirjes së tyre në ngjarje në takimet që kanë pasur më ish-kryebashkiaken ditën e ngjarjes. ar.ba
Të akuzuarit
Llazar Bicja
Roland Xhepaxhiu
Met Bozi
Arjan Toska
Alban Toska
Bujar Buzani
Tomor Buzani
Entel Gashi
Luftar Toska
Skënder Cani
Banda e organizuar, pritë gardistëve në qytet
TIRANE – Ngjarja e njohur si “Masakra e Cërrikut” u shënua më 23 maj të vitit 1997, në qytetin e vogël pak kilometra larg Elbasanit. Në orët e para të kësaj dite, një autokolonë me blinda të Gardës së Republikës dhe të forcave speciale ranë në një pritë të armatosur në qendrën e qytetit të Cërrikut. Autokolona u qëlluar me artileri të rëndë nga tarracat e pallateve që rrethonin qendrën e qytetit. Nga zjarri mbi “njerëzit e shtetit”, mbetën të vrarë 6 efektivë të Gardës, si edhe u plagosën 15 të tjerë. Dy nga gardistët e plagosur u mbajtën peng për disa orë. Një natë më parë, elementë të armatosur kishin sulmuar dhe bastisur Postën e Policisë së Cërrikut. Të akuzuarit e Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me këtë ngjarje janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skender Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi.