E Hënë, 2 Nëntor 2026

Certifikata e Aftësimit Profesional dhe leja e drejtimit në një dokument të vetëm

Drejtuesit e mjeteve që zotërojnë një Certifikatë të Aftësimit Profesional (CAP) tashmë do ta kenë të përfshirë atë në lejen e drejtimit.

Kjo certifikatë nuk do të lëshohet më si karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument, për të ulur kështu kostot financiare dhe kohën për qytetarët. 

“Kodi 95 e përafron akoma më shumë kodet e Bashkimit Europian dhe shkurton mjaft procedura. Ne kemi marrë masat që qytetarët të njoftohen dhe ka filluar si proces pranë sporteleve tona,” shprehet Leonard Karati, kryetar i degës së Lejeve të Drejtimit në DRSHTRR Korçë.

Bëhet me dije se aplikantët e rinj do të përfitojnë duke mos paguar më për kartonin CAP, ndërsa drejtuesit që rinovojnë shmangin kostot shtesë dhe mbajnë gjithçka në një dokument të vetëm. 

“Në qoftë se [individi] do të vinte të paguante dy herë kartonin 45 [mijë lekë] për lejen e drejtimit dhe 45 [mijë lekë] për Certifikatën e Aftësisë Profesionale, tani do të paguajë vetëm një herë dhe këto përfshihen brenda kartonit të lejes së drejtimit. Certifikatën e Aftësisë Profesionale e përfitojnë drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë një leje drejtimi profesionale për mallra dhe për transportin publik,” shpjegon z. Karati.

Po ashtu, aplikimi dhe rinovimi do të bëhet sipas procedurave për pajisjen me CAP dhe do të pasqyrohet në lejen e drejtimit.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›