E Martë, 3 Nëntor 2026

Certifikohen 240 mësues për drejtor shkolle, konkurs për 200 pozicione të tjera

240 mësues pjesëmarrës të programit të trajnimit përgatitor për drejtues të shkollave të arsimit parauniversitar janë çertifikuar nga Shkolla e Drejtorëve.

“Në gjithë këto vite janë më shumë se 800 drejtues aspirantë, të cilët janë certifikuar nga kjo shkollë. Në qoftë se deri dje, dhe këtu i referohem viteve më parë, që nga mësuesit, deri tek drejtorët e shkollave, i zgjidhte partia, i zgjidhte miku, apo ndonjë praktikë abuzive, tashmë u bënë vite që mësuesit zgjidhen përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe drejtuesit e shkollave nëpërmjet një garancie të fortë, sikurse është shkolla e drejtorëve”, tha ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu.

Ajo ka bërë me dije hapjen e thirrjes për 200 pozicione drejtuese në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare në të gjithë vendin.

“Duke filluar nga fundi i kësaj jave, do të hapim 200 pozicione të punës për drejtues të shkollave, me një konkurs të hapur, ku ftohen që të aplikojnë edhe drejtuesit e komanduar aktualë, edhe ata aspirantë, për të pasur më të mirët në krye të shkollave tona” tha ministrja Manastirliu.

Ajo ka deklaruar se pas çertifikimit të drejtorëve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të vijohet edhe me trajnimin e drejtuesve në arsimin parashkollor.

“Sfida e radhës është certifikimi i drejtuesve në institucionet parashkollore dhe kjo është edhe pjesë e reformës sonë sa i përket ndryshimeve që ne do të ndërmarrim në shërbimet parashkollore, të cilat kanë nevojë të përshtaten me të rejat e kohës, të modernizohem nga pikëpamja e standardeve dhe të cilësisë që ofrohet në arsimin parashkollor”, – tha Manastirliu.

Nga fillimi i programit të trajnimit nga Shkolla e Drejtorëve, prej nëntorit të vitit 2019, janë certifikuar 857 mësues. MAS në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ka mundësuar një standard të ri për trajnime dhe certifikime për mësuesit dhe edukimin e tyre në vazhdim.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›