E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ka mbetur pas zjarrit-Pamjet brenda pallatit 12-katësh që u shkrumbua nga flakët

Zjarri i fuqishëm që përfshiu pallatin 12-katësh në zonën e “Farmacisë 10” në kryeqytet ka lënë pas banesa të shkrumbuara.

Një prej tyre siç mund ta shikoni edhe nga pamjet në videon e siguruar nga RTSH, duket banesa e shkrumbuar nga flakët e shumta.

Në ndihmë të zjarrfikësve mbërriti edhe një helikopter, i cili hodhi ujë për të shuar flakët e pallatit, ndërsa u evakuuan edhe banorët.

Nga flakët që përfshiu pallatin 12-katësh mbetën të asfiksuar 7 persona ku 3 prej tyre ishin zjarrfikës dhe 4 qytetarë. Ata u dërguan në urgjencën e Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkaq, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shërbimet e emergjencës u angazhuan me të gjitha mjetet për izolimin e flakëve derisa situata u normalizua.

“Jemi përqendruar me të gjitha mjetet për të izoluar vatrën e zjarrit. Jemi drejt përfundimit të situatës. Autoshkallat janë në vendin e ngjarjes duke punuar. Janë 3 autoshkalla. Në dy faqet e objektit po punojmë me autoshkalla. Është dhe një grup brenda me të gjitha pajisjet, që është grupi që na mundëson shuarjen e flakëve,” tha Goxhaj. 

Ai shtoi se autoshkallat kanë ndihmuar edhe në evakuimin e banorëve, ndërsa dyshohet se vatra e zjarrit ka qenë në katin e parë, në një ambient biznesi.

“Autoshkalla e tejkalon lartësinë e pallatit. Mendoj se zjarri është në katin e parë të pallatit në një biznes. Do bëhet ekspertiza e nevojshme për të përcaktuar vatrën e zjarrit, që e ndihmoi fasada të përhapet. Deri tani nuk kemi informacion për pasoja fatale. Fasada ka ndikuar të përhapet flaka e zjarrit,” u shpreh drejtori i zjarrfikëses. 

Ai tha se në vendngjarje janë angazhuar tre autoshkalla dhe grupe të specializuara që po ndërhyjnë si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda objektit. Ndërsa pritet që ekspertiza të përcaktojë shkaqet e sakta të zjarrit. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›