E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ndodh pas dyerve të SPAK me zyrtarët? Dogjani: Nuk jam për tender në prokurori, ja pse më kanë thërritur

Deputeti demokrat, Asllan Dogjani, i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka folur për çështjen e tij në SPAK, por edhe për çfarë ndodh me zyrtarët e tjerë.

Ai tha se nuk ndodhet në SPAK për vjedhje, as për tender, por pasi është kallëzuar nga një falsifikator.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Ju jeni një nga ata zyrtarë të rëndësishëm që edhe dje ishit në SPAK. Çfarë ndodh aty brenda ku zyrtarët hyjnë e dalin?

Dogjani: Unë nuk e di si futen ata që vjedhin. Unë nuk kam vjedhur kurrë në jetën time, nuk kam bërë kurrë tender. Një rast kam parë në Fier. Sapo emërohem drejtor në Policinë e Fierit, më vijnë ca letra për tender, duheshin firmosur. Bëhej fjalë për karburantin, shoh letrat në tender dhe çmimi ishte dyfishi. Më merr njëri në telefon dhe më thotë: “Pse s’e firmose?” I them kush je ti, më tha emrin  Ervin Fisheku. I thashë: “Me automatiku qofsh, nuk e firmos.” Më mori drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe më tha: “A ta firmos unë?”

Unë nuk jam marrë kurrë me tendera. Kjo bëri që unë të marr 8 mijë vota. Të marrësh vota siç i kam marrë unë do të thotë që je dikushi. Unë mora 8 mijë vota edhe herën e kaluar, isha i fundit i listës dhe hyra në parlament. Unë hy siç jam dhe dal siç jam.

Në SPAK kam bërë kallëzim një njeriu që ka vjedhur oborrin e pallatit; e legalizuam ne si banorë. Ndërtuesi, në vend që të legalizonte pallatin, legalizoi oborrin. Kur po merresha me legalizimin e pallatit, pashë që ishte legalizuar oborri dhe kam bërë kallëzim në SPAK.

Tani ish-ndërtuesi më ka kallëzuar në SPAK. Unë jam në 2+1, me tre fëmijë, ngelëm ngushtë atje. Dhe tani SPAK merret me mua dhe i beson një falsifikatori. Gjykata është treguar fisnike, gjyqtarja Rudina Palloi e ka kthyer 3 herë çështjen dhe hetimi rezultoi siç kërkova unë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›