E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çfarë po ndodh me Euron? Analiza e faktorëve që ndikojnë në mbiçmimin e Lekut dhe dëmin e shkaktuar

Banka e Shqipërisë, përgjegjëse për stabilitetin e çmimeve dhe inflacionin, dhe Ministria e Financave që ndjek në vijimësi borxhin dhe kostot e tij, nuk kanë arritur ende të shpjegojnë në mënyrë shteruese fenomenin e mbiçmimit të monedhës shqiptare, alias uljen drastike të vlerës së Euros në Shqipëri.

Sipas ekspertëve, flukset e larta e hyrëse të monedhës europiane në vitet e fundit e kanë rritur ndjeshëm masën monetare në euro. Depozitat në euro në fund të prillit arritën në pothuajse 6.5 miliardë euro, në rritje me pothuajse 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të njëjtën periudhë, rritja vjetore e depozitave në lekë është shumë më e ulët, me vetëm 3.5%.

Duke iu referuar ekspertëve më të mirë në Shqipëri, që janë shprehur për këtë fenomen, kursi i këmbimit është më i vështiri për t’u parashikuar, kudo në botë. Sipas FMN, kursi duhet të jetë në ekuilibër. Në Shqipëri, megjithatë leku ka surprizuar ekspertët dhe forcimi i monedhës ka qenë më i shpejtë se parashikimi i bërë. Pritet që ky kurs në dy vitet e ardhshme të varet nga diferenca e inflacionit mes Eurozonës dhe Shqipërisë.

Pa anashkaluar pikëpyetjet e mëdha edhe në këtë pritshmëri, Banka e Shqipërisë, për shembull e sheh rënien e euros si një të mirë të përbashkët për shqiptarët, sepse në të kundërt inflacioni do të ishte më i lartë dhe produktet dhe shërbimet më të shtrenjta.

Ndërkohë ky kurs këmbimi që nuk ka të ndaluar, dëmton më së shumti eksportuesit shqiptarë të produkteve dhe shërbimeve, dëmton edhe prodhuesit shqiptarë, sikundër edhe prurjet turistike në këtë sezon sepse e bën më të shtrenjtë tregun turistik, madje ka shifra për këtë, që tregojnë se rritja e çmimeve vijon nga 12-15 për qind.

Në kushte të tilla, kur edhe importi i lirë nuk është transmetuar në çmimet brenda vendit, një dukuri që duhet të ndodhte pas dy apo tre muajve të importeve të lira, mbetet të shihet angazhimi i autoriteteve publike për të analizuar kostot dhe përfitimet nga ky mbiçmim i lekut shqiptar.

Televizioni publik ka siguruar informacionin se në Ministrinë e Financave është duke punuar tashmë një grup miks pune, me përfaqësues të qeverisë, biznesit dhe bankave, për të hartuar një strategji që lidhet me mbrojtjen e kategorive të dëmtuara nga kursi i pazakontë i këmbimit EURO-Lekë.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/Rtsh /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›