E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë pritet? Nga fjalimi i Ramës e më pas te dyert e mbyllura. PS mbledh nesër Asamblenë në Durrës

Ditën e nesërme, Kryeministri Rama mbledh Asamblenë e Partisë Socialiste në Durrës.

Pas ndryshimeve në qeveri, duket që tashmë e kanë radhë strukturat e kësaj partie për të marrë udhëzimet dhe direktivat e reja nga kryetari.

Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00, duke nisur me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi e për të vijuar më pas me atë të Edi Ramës.

Fjalimi i kreut të mazhorancës do të jetë publik, ndërsa më pas do të vijohet deri në ora 15:00 me dyer të mbyllura.

Sipas burimeve, në takim do të raportohet nga çdo drejtues qarku për zonën e tyre për sa i përket performancës zgjedhore.

Viti 2026 është një vit ku partia i nënshtrohet rinovimit të drejtuesve në nivel lokal, për këtë arsye pritet të miratohet kalendari dhe udhëzimet e zgjedhjeve të brendshme.

Pas rezultatit të parlamentareve të vitit të shkuar, socialistët po e shohin diasporën me prioritet, për të cilët do të ketë një diskutim edhe në Asamble për riorganizimin e partisë në disa shtete kryesore.

Përpos organizimit të brendshëm, të shtunën në Durrës PS do të ndezë zyrtarisht motorët për zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027.

Pas anëtarëve të kabinetit, tani ethet e ndryshimeve u takon t’i mbajnë socialistët që kanë funksione në parti. Në Asamble ata do të mësojnë nëse do të vijojnë të drejtojnë të njëjtat qarqe, përveç Belinda Ballukut, që është konfirmuar nga Rama disa ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›