E Diel, 1 Nëntor 2026

Gerond Meçes i del për mbarë pengmarrja, gati të marrë dhe tenderin 3 mln euro të Burgjeve

Pas gati dhjetë muajsh bllokimi, Komisioni i Prokurimit Publik ka zhbllokuar procedurën për tenderin “Ndërtimi i Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucionet e vartësisë”, me fond limit rreth 3 milionë euro.

Ky tender ishte shpallur në maj 2025, në kulmin e përplasjes mes dy grupeve që përfitonin nga fondet e AKSHI-t.

Në atë kohë, sipas dosjes së SPAK, Ermal Beqiri nën dirigjimin e Ergys Agasit po fitonte njëri pas tjetrit tenderët, ndërsa Gerond Meçe po i bllokonte procedurat duke i ankimuar në KPP.

Përplasja kulmoi në gusht 2025, kur sipas dosjes së SPAK për skandalin e AKSHI-t, Gerond Meçe u mor peng dhe u detyrua të heqë dorë nga ankimimet.

Pas muajsh të tërë në sirtarët e KPP, komisioni vendosi të pranojë pretendimet e kompanisë “Advanced Business Solutions – ABS” dhe të lejojë vijimin e procedurës.

Në vendimin e datës 12 janar 2026, KPP pranoi pjesërisht ankesën e ABS dhe urdhëroi AKSHI-n të bëjë rivlerësim të procedurës, duke kualifikuar këtë kompani sipas konstatimeve të bëra, ndërsa dje ka urdhëruar vijimin e procedurave për shpalljen e fituesit të këtij tenderi.

Ky vendim e vendos kompaninë ABS, me pronar faktik Gerond Meçen, në pozicion të favorshëm për fitimin e këtij tenderi të majmë, në një kohë kur dyshja Agasi-Beqiri, të paktën në dukje, nuk është më në lojë.

Megjithatë, ndikimi i tyre vijon të përmendet përmes tenderëve të tjerë. Së fundmi, një kontratë rreth 1.7 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit financiar të Ministrisë së Financave u fitua nga kompani të lidhura me Gentian Likajn, kunatin e Ermal Beqirit.

LEXO EDHE: Ermal Beqiri në arrati, tenderët e AKSHI-t po i merr kunati Gentian Likaj?

Ndërkohë, Gerond Meçe ka rifituar terren në procedurat e AKSHI-t pas një “agjërimi” rreth dyvjeçar, periudhë gjatë së cilës, për arsye ende të paqarta, kishte humbur besimin në këtë rrjet tenderash.

Së fundmi, AKSHI ka shpallur fitues për një tjetër tender bashkimin e operatorëve “DATALOG” dhe “Advanced Business Solutions”, për përmirësimin e sistemit të pagesave të dëmshpërblimeve, me një vlerë rreth 300 mijë euro. Në këtë rast, aksionet e ABS figurojnë në emër të nënës së moshuar të Meçes, të cilës ai i ka kaluar fiktivisht pronësinë.

Në dokumentin për këtë procedurë figuron edhe firma e drejtorit të ri të AKSHI-t, i cili duket se po vijon të njëjtën linjë të mëparshme, pa ndryshime në mënyrën e menaxhimit të tenderëve.

Ndërkohë, hetimet e SPAK për skandalin e AKSHI-t vijojnë, me disa ish-zyrtarë dhe biznesmenë nën masa sigurie, mes tyre Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, si dhe emra të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Në tërësi, si grupi Agasi-Beqiri, ashtu edhe ai i Gerond Meçes, rezultojnë të kenë përfituar nga fondet e AKSHI-t në periudha të ndryshme, duke alternuar dominimin në tenderët publikë.

Në fillim ishte Meçe ai që dominonte, më pas me hyrjen e Agasit në lojë përfitoi Beqiri, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë një rikthim të Meçes në krye të këtij cikli. /skyweb.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›