E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Champions, Italia “ngel” në klasë/ Juventus eliminohet gjithashtu, disfatë në Holandë

Nuk pritej deri këtu. Që skuadrat italiane kanë 15 vjet pa fituar Championsin kjo dihej, por që tre prej tyre të eliminoheshin pa ardhur ende të tetat e finaleve, kjo as nuk ishte menduar.

Katastrofën e plotësoi Juventusi që u mund bindshëm në Holandë 1-3 nga PSV . Një ditë më parë ishin larguar Milani dhe Atalanta.

“Zonja e Vjetër” u duk thuajse tërësisht e dorëzuar në Stadiumin “Filips”, dhe kampionët e Holandës patën epërsi të ndjeshme.

Kroati Ivan Perishiç, ndëshkuesi i rregullt i bardhezinjve, shënoi në 53’, por Ueah barazoi 10 minuta më pas e Juvja ishte virtualisht e kualifikuar.

Nuk qe e thënë.

Saibari shënoi të dytin për vendasit në 74’, falë edhe ndihmës nga Perishiç, ndërsa gjatë 30 minutave të shtesave, kalimin e holandezëve e siguroi Rajan Flamingo në 98’.

PSV pati 25 gjuajtje ndaj 15 të italianëve, 10 në kuadrat ndaj 4 dhe mbajti topin 60 për qind.

“Eurokatastrofë”, titullon “La Gazeta delo Sport”, jashtë edhe Juvja! Vetëm Interi në të tetat e finaleve, play of i hidhur në Champions!”

“Vaterlo”, – është titulli lakonik i “Il Korriere delo Sportit” që shton se PSV dërgon Juven në shtëpi, Italia mbytet dhe në Champions mbetet vetëm Interi!”

Vjet, Seria A kishte 3 skuadra në të tetat e finaleve, edhe pse në çerekfinale nuk arriti asnjëra.

Për më tepër, Atalanta fitoi Ligën e Europës dhe Fiorentina arriti në finalen e Ligës së Konferencës.

Një dështim I madh, ndoshta I vështirë të shpjegohet edhe pse në Itali thonë se Seria A ka mbetur prapa./abcnews.al

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›