Champions dhe Europa league, hidhet shorti i fazës Play-off
Shorti
Janë përcaktuar dhjetë çiftet e turit të fundit kualifikues para kalimit në grupe
Kontinenti i Vjetër është njohur dje me shortin e fazës Play off të dy kompeticioneve më të rëndësishme për klube, Champions league dhe Europa League. 20 skuadra dhe dhjetë çifte për të përcaktuar ekipet e fundit që do të luajnë në fazën e grupeve të Champions League në edicionin 2012-2013 të aktivitetit më prestigjioz për klube. Në Nion është hedhur shorti për ndeshjet e turit play-off, ku nuk kanë munguar duelet e mëdha. Ashtu siç e parashikon formati, kampionet e ligave të ndryshme europiane do të përballen me njëra-tjetrën, ndërsa skuadrat e kualifikuara, sipas vendeve të përcaktuar për kampionatet përkatëse big do të përballen ndërmjet tyre. Një mënyrë kjo për të favorizuar disi ekipet e kampionateve të ashtuquajtura të vogla. Në sfidat ndërmjet kampionëve spikatin përballja e Bazelit, surprizës së edicionit të kaluar me rumunët e CFR Kluzh dhe ndeshja ndërmjet norvegjezëve të Helsinborg me skocezët e Sëlltik. Në ndeshjet e tjera, BATE Borisov luan me izraelitët e Hapoel Kirjat Shmona, AEL Limasoli kundër Anderleht dhe Dinamo e Zagrebit me sllovenët e NK Maribor. Në grupin e ekipeve jo kampione, Udinezen e pret një test mjaft i vështirë përballë portugezëve të Bragës. Italianët, që u eliminuan vjet në fazën play-off nga Arsenali, i pret një tjetër test shumë i vështirë me nënkampionët e Europa League në sezonin 2010-2011. Në ndeshjet e tjera, Spartaku i Moskës përballet me Fenerbahçen, Malaga me Panathinaikos, Borusia Mynshengladbah me Dinamon e Kievit dhe Lila me FC Kopenhagen. Ndeshjet e para do të luhen më 21 dhe 22 gusht, ndërsa takimet e kthimit në datat 28 dhe 29 të po këtij muaji. Dhjetë ekipet fituese do të kualifikohen në fazën e grupeve të Champions League, përkrah 22 klubeve të kualifikuara automatikisht. Po pasditen e së premtes u hodh edhe shorti i Europa League. Skuadrat e mëdha që marrin pjesë në këtë kompeticion nuk duhet ta kenë të vështirë që të kalojnë për në fazën e grupeve, pasi u vunë përballë kundërshtarëve të kalueshëm, në shortin e mbajtur në Nion të Zvicrës, të premten. Tre herë kampionët e Europës së Interit do të luajnë ndaj rumunëve të Vasluit, Lacio do të diskutojë një vend në grupe me Murën sllovene, ndërsa finalisti i një sezoni më parë, Bilbao, luan ndaj Helsinkit. Në sfidat e tjera, Anzhi i Etoo do të udhëtojë në Holandë për tu përballur me Alkmarin, ndërsa Shtutgart sfidohet nga moskovitët e Dinamos.
Sfidat
Modeli i aplikuar është bërë për të favorizuar skuadrat e mëdha, por megjithatë shorti ka prodhuar edhe duele interesante, të cilat ngjallin interes deri në fund
Champions dhe Europa league, hidhet shorti i fazës Play-off burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip