E Diel, 1 Nëntor 2026

Chavez fiton zgjedhjet, zgjidhet sërish president

Autoritetet zgjedhore në Venezuelë kanë shpallur fitues të zgjedhjeve presidenciale, presidentin në detyrë, Hugo Chavez.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se Chavez ka fituar 54 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, ndërsa kundërkandidati i tij, Capriles Henrique rreth 45 për qind.

Rezultati shënon fitoren e tretë radhaz të Chavez-it dhe i siguron politikanit socialist një mandat tjetër gjashtë vjeçar si president i eksportueses së naftës, Venezuelës.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se më shumë se 80 për qind të rreth 19 milionë votuesve të regjistruar kanë hedhur votën të dielën.

Ndersa shpalleshin rezultatet, mbështetësit e Chavez-it kanë festuar në rrugët e kryeqytetit, Karakas.

Chavez, një aleat i qeverisë ruse, bjelloruse dhe iraniane, është në pushtet që nga viti 1999, më shumë se çdo president tjetër i zgjedhur në Amerikën Latine.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe ato të lirisë së mediave e kanë kritikuar atë për përdorimin e masave represive ndaj kritikëve të regjimit të tij. (rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›