Chavez premton bashkëpunim me opozitën: Do jem “President më i mirë”

Hugo Chavez është zotuar se do të bëhet një “president më i mirë” dhe do të punojë me opozitën, pas fitores së tij në zgjedhjet e djeshme presidenciale në vend, të cilat i siguruan edhe një mandat të tretë në krye të Venezuelës.
Fitorja e presidentit socialist ishte një lehtësim për aleatët e tij në rajon. Lideri kubanez, Raul Castro e ka përshëndetur fitoren dhe triumfin e mikut të tij, përderisa SHBA-të, nga ana tjetër, i kanë bërë thirrje Chavezit që ta dëgjojë opozitën.
Pas më shumë se 14 vjetëve në pushtet, Chavez e ka mposhtur kandidatin e tij, guvernatorin Henrique Capriles, duke fituar edhe gjashtë vjet të tjera në krye të presidencës.
Megjithatë, ai u është drejtuar të gjithë votuesve, duke u thënë se do të punojë me opozitën, gjë që mund të konsiderohet si një pranim i heshtur i tij se gara ndërmjet të dy kandidatëve ka qenë shumë e ngushtë.
“Dua t`i përfshijë të gjithë, përfshirë edhe sektorin e opozitës”, u ka thënë Chavez mijëra mbështetësve, të cilëve u është drejtuar nga ballkoni i rezidencës presidenciale.