Chris LaCivita drejton fushatën e PD-së, Rama: Trumpistët e kënetës sollën një konsulent me kushedi se çfarë lekësh, jam i lumtur për çdo të huaj që vjen Shqipëri

Chris LaCivita, një prej menaxherëve e këshilltarëve kryesorë të Presidentit amerikan Donald Trump në fushatën për zgjedhjet e 5 nëntorit te vitit të kaluar, do të jetë strategu i fushatës së Partisë Demokratike për betejën e 11 majit.
Kryetari i PD Sali Berisha doli ditën e djeshme para mediave së bashku me Chris LaCivita për të njoftuar bashkëpunimin për zgjedhjet parlamentare duke sqaruar edhe arsyet pse këshilltari i Presidentit Trump zgjodhi të bashkëpunojë me Partinë Demokratike.
“E vërteta është se PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, Xhorxh Soros dhe kukulla e tij, Antoni Blinken, gënjeshtar në letrën puçiste të laptopit të famshëm, duke mashtruar kombin e tij dhe botën për interesa politike, këta bënë në Shqipëri eksperimente tragjike. Bënë gjithçka për zhdukjen e opozitës konservatore, de facto pluralizmit politik dhe instalimin e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe korrupsionin. “, tha kreu i PD, Sali Berisha ditën e djeshme.
Kreu i qeverisë, Edi Rama reagoi ditën e sotme në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetet sociale lidhur me ardhjen e LaCivita në Shqipëri.
Rama: Dje Trumpistët e kënetës sonë patën një ditë masturbimi kolektiv, tamam si adoleshentë të bëjnë dashuri me foton e një aktori filmash sepse sollën me kushedi se çfarë lekësh një kosnulent që ka punuar me Trump për fushatën e tij. Konsulentët atë punë kanë dhe unë jam i lumtur për çdo të huaj që viziton Shqipërinë. Edhe konsulentët për mua janë turistë. Luli kishte më shumë konsulentë, partinë e kishte shumë më në formë dhe arriti një rezultat që këta do ta shohin me dylbi më 11 maj sepse nuk ka kosnulent që e bën dot kënetën të duket si det, apo bufin e kënetës të duket si kalë.