Çifti u ndoq për kilometra, policia zbulon skemën e atentatit në Balldren

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e dyfishtë që tronditi Lezhën, ku mbetën të vrarë Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia po verifikon të paktën dy automjete të përdorura nga autorët, njëri me ngjyrë të zezë dhe tjetri gri, ndërsa modeli i tyre mbahet i rezervuar për shkak të hetimeve.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se në dy mjetet kanë qenë katër persona, të cilët kanë ndjekur për disa kilometra çiftin Mujeci, duke pritur momentin e duhur për të goditur. Autorët kanë shfrytëzuar një segment të ngushtë rruge, pa kamera sigurie pranë, ku njëri prej automjeteve i ka prerë rrugën mjetit tip “Audi Q7” që drejtohej nga 39-vjeçari.
Menjëherë më pas është qëlluar me breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje janë gjetur të paktën 40 gëzhoja. Pas ekzekutimit, autorët nuk kanë ndryshuar drejtimin e lëvizjes, por kanë vijuar rrugën drejt Torrovicës, zonë që ka disa dalje strategjike në drejtim të Velipojës, Shkodrës dhe Shëngjinit.
Hetuesit po punojnë mbi disa pista, ndërsa kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes për një ngjarje të ndodhur rreth 10 vite më parë, ku Kreshnik Mujeci dyshohej si i përfshirë në ekzekutimin e Genc Mhillajt në Malin e Jushit, në Shkodër.