E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çiklizmi “ankohet” për tenisin

Kur Rafa Nadal foli për dhimbjet e këmbës së tij të majtë, që e mundojnë përditë, e për të cilat përdori antiflamatorë, për të luajtur ndeshjet e fundit në Roland Garros, bota e mëshiroi atë. Por në sportin e çiklizmit ndodh e kundërta. Menjëherë pas triumfit të 14-të të spanjollit në Paris, disa çiklistë francezë, si Pinot dhe Martin, u ankuan se pse përdorimi i inflamatorëve lejohet në tenis dhe sporte të tjera është i ndaluar, pasi quhet si doping.

“Nëse do të kisha pasur një problem si ai i Nadalit, do të më duhej të tërhiqesha nga gara, si unë dhe çiklistët e tjerë gjithashtu”, – tha Martin për L’Équipe. Ai kujtoi kështu se çiklizmi është i vetmi sport që ndalon trajtimin e drejtpërdrejtë të lëndimeve dhe dhimbjeve me injeksione dhe gjilpëra. Ai me këtë, nuk kërkoi më shumë butësi në rregulloret antidoping për çiklizmin, por më tepër ashpërsi në tenis dhe sporte të tjera, si futbolli, atletika apo basketbolli, në të cilat atletët e lënduar konkurrojnë të ndihmuar me kortikosteroide, analgjezik ose anestetikë.

 Vështirësia për të dalluar origjinën e kortikosteroideve ose produkteve të tjera të ndaluara, bëri që në çiklizëm të ndaloheshin injeksionet, me justifikimin se duke lehtësuar dhimbjen, bën që dëmtimet të përkeqësohen. Të njëjtin argument e përsëriti edhe presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), francezi David Lappartient. “Nuk e gjykoj federatën e tenisit, por çiklizmi është sporti që shkon më tej në mbrojtjen e shëndetit të sportistëve të vet dhe konkurrencës së ndershme, pa mashtrim,” tha ai gjatë një seminari në të cilin prezantoi përparimet e federatës që drejton dhe Agjencia Ndërkombëtare e Kontrollit (ITA) në luftën kundër dopingut.

“Ajo që është e mundur në tenis nuk është e mundur në çiklizëm, sepse ne jemi më të rreptë se kushdo tjetër”. Sporti më i goditur nga problemi i dopingut është çiklizmi. Për të rifituar besueshmërinë, çiklizmi është i vetmi sport që ndalon qetësuesin Tramadol në të gjitha kanalet e tij të administrimit. “Ne do të bëjmë që Agjencia Botërore Anti-Doping të ndalojë Tramadol në të gjitha sportet,” tha presidenti i UCI-t.

“Unë e kuptoj pakënaqësinë e çiklistëve,  por përgëzoj UCI për tolerancën zero ndaj përdorimit të substancave të ndaluara” – tha  Cohen. “Një parim kyç në luftën kundër dopingut është harmonizimi i zbatimit të ligjit për të gjitha sportet. Që të gjitha sportet dhe të gjithë sportistët në botë i përgjigjen të njëjtit ligj. Nuk do të ishte keq nëse tenisi do t’i kërkonte edhe ITA-s të kujdeset për kontrollet e tij antidoping”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›