Shqipëria, një hap larg kualifikimit si finaliste

Shqipëria në volejboll për meshkuj, të mërkurën në mbrëmje në sallën olimpike “Feti Borova”, ka arritur një fitore të rëndësishme, teksa ka mundur 3-0 Bosnje-Hercegovinën. Një sukses që e vendos skuadrën e trajnerit Jani Melka dhe ndihmësve të tij Dritan Bardhi dhe Agim Reka një hap larg kualifikimit për në finalet e Ligës së Argjendtë. Tanimë fitorja e Maqedonisë së Veriut ndaj Rumanisë, 3-1 po mbrëmjen e së mërkurës në “Boris Trajkovski” të Shkupit, e rëndon situatën e kuqezinjve, të cilët minimalisht të dielën do të duhet të marrin dy sete në transfertën rumune.
Emocionet e përballjes me Bosnje-Hercegovinën kanë ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, kurse Shqipëria i ka fituar dy setet e para më përmbysje. 4-8, 13-13, 17-15 dhe në fund të setit të parë shifrat për skuadrën tonë janë 25-16. 5-8, 12-11, 17-13 dhe përfundimi i setit të dytë 25-17 për kuqezinjtë. I treti është tërësisht nën kontrollin e djemve tanë; 5-1, 6-5, 10-6, 18-15 dhe në fund 25-21.
Të dielën, Shqipëria luan ndeshjen e fundit në grupin B në transfertë me Rumaninë, në ora 17:00, me shpresën se do të jetë në finalet e Ligës së Argjendtë, më 18-19 qershor në Budapest.