E Diel, 1 Nëntor 2026

Cila është e ardhmja e Andri Shevçenkos?

Milano - Të hënën e shkuar Shevçenko deklaroi se në fund të sezonit do largohej nga Milani. Një vendim tërësisht ndryshe nga ai i vetëm dy viteve më parë, kur kalimi i tij tek Çelsi ishte padyshim lëvizja më e bujshme dhe mediatike e vitit.

Pyetja tani të vjen spontanisht: Ku do të shkojë te luajë ylli i shuar ukrainas, ish-Topi i Artë?
Sigurisht që Shevçenko nuk mund të krahasohet me atë që ka qenë njëherë e një kohë. Ylli i tij nisi të shuhet me kalimin e tij te blutë e Londrës. Të gjithë prisnin se ai do të ishte bomberi që do t’i udhëhiqte drejt fitimit të Ligës së Kampioneve. Pastaj dihet se si shkoi, me shumë ndeshje që i niste si rezervë dhe me raporte jo të mira me Mourinjon.

Megjithatë, rikthimi në Milano nuk solli rilindjen e tij, përkundrazi. Shevçenko tani është një kopje e shëmtuar e vetvetes dhe Milani këtë vit kërkon një sulmues tjetër. Me Borrielon të dëmtuar Sheva ka zbritur në fushë vetëm 21 herë gjatë këtij viti në të gjitha kompeticionet, shpeshherë nga pankina, duke treguar qartë se për Ançelotin ai mbetet zgjidhja e fundit.

Tani, cila është e ardhmja e tij? Kthimi i tij në Angli te Çelsi koinçidojë me faktin se ai do jetë një nga të shumtët, sigurisht pas Drogba e Anelkas. E nëse pankinën e Çelsit vitin e ardhshëm do ta drejtojë Ançeloti, për Shevën tatëpjeta bëhet mëse e vështirë.

Opsioni më i mundshëm duket një rikthim te Dinamo e Kievit, ekipi që e zbuloi, për t’i dhënë fund karrierës. Ose ndoshta një tërheqje nga futbolli...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›